Nga Ardian Vehbiu
Po dyshoj fort se çfarë po ndodh këto ditë, me publikimin e disa regjistrimeve nga tabloidi gjerman “Bild” (e ashtuquajtura electiongate) i ka shumë atribute të një PSYOP-i (psychological operation).
Te Wikipedia gjej këtë përkufizim të PSYOPS: operacione që synojnë t’i përcjellin informacion të përzgjedhur publikut, për të ndikuar në emocionet, motivet dhe arsyetimin objektiv dhe, në analizë të fundit, sjelljen e qeverive, organizatave, grupeve dhe individëve.[1]
(Meqë burimi i materialeve të regjistruara mbetet, në rastin e tanishëm në Shqipëri, i paqartë, kjo që po ndodh do të klasifikohej si PSYOP gri.)
Impakti i këtyre regjistrimeve në opinion e tejkalon jo vetëm informacionin e ri që ato i japin publikut, por edhe informacionin që mund të nxirret prej tyre në mënyrë objektive.
Publiku jo gjithnjë arrin të mbajë parasysh se bëhet fjalë për regjistrime të paverifikuara, me legjitimitet të diskutueshëm, por që po i jepen në shkelje flagrante të ligjit; dhe sidomos, që këto regjistrime janë vetëm një pjesë e vogël dhe e përzgjedhur, e materialeve në dosjet përkatëse.
Si edhe në rastin e “Babales”, kushdo që po e drejton këtë operacion synon të provokojë ose të paktën të përshpejtojë ndryshime në rendin politik ekzistues nëpërmjet manipulimit të opinionit publik dhe sugjestionimit të elitave.
Momenti se kur u bënë publike këto leaks përkon me shkallëzimin e protestave të opozitës pas djegies së mandateve prej deputetëve të saj dhe të përpjekjeve të presidentit Meta për t’i anuluar zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Mund të mendohet, pa rënë në konspiracionizëm, se bëhet fjalë për veprime të bashkërenduara.
Nëse regjistrimet mund të besohen deri në fund, fushata zgjedhore e PS-së rezulton shumë problematike, para-mafioze, në mos me shkelje flagrante të ligjit dhe të fair play demokratike. Por edhe dhënia e këtyre regjistrimeve një gazete gjermane për publikim është po aq shkelje e ligjit, në mos e kushtetutës.
Të gjitha këto ndodhin në një atmosferë krize politike dhe kushtetuese, ku institucionet kryesore të shtetit janë ose të paralizuara, ose krejt të çorientuara; dhe ku po mungojnë deri edhe strukturat kushtetuese minimale të ndërhyrjes në raste të jashtëzakonshme.
Pas paralizës së gjyqësorit dhe të Gjykatës Kushtetuese, e kishte radhën Parlamenti të gjymtohej nga djegia e mandateve dhe pastaj Presidenti, që të dilte kundër vetes. Në krahasim me të gjitha këto, publikimi i regjistrimeve nga “Bild” mund të duket si gjë e vogël, por që vjen i amplifikuar nga vetë histeria kolektive e momentit.
Nuk mund ta bësh publikun me faj, që nuk arrin të vlerësojë objektivisht se çfarë përfaqësojnë tamam këto regjistrime.
Nëse PS-ja dhe strukturat qeverisëse, në qendër dhe në bazë, e kanë ndarë pushtetin me organizatat parakriminale dhe kriminale, siç dyshohet dhe akuzohet gjerësisht, kjo nuk mund të provohet nga regjistrimet e botuara nga Bild. Është diçka që publiku edhe e di, edhe nuk e di; një informacion i pranuar dhe i mbajtur pezull, midis konfirmimit dhe përgënjeshtrimit.
Rruga e vetme për ta provuar këtë bindshëm, është ajo e gjykatës.
Problemi më i madh i opozitës nuk është PS-ja, as koluzioni i pushtetit me krimin; por fakti që ajo, opozita, nuk i ka liderët e duhur dhe as kapacitetet e duhura politike, për t’u mobilizuar dhe për ta fituar luftën politike në kutitë e votimit.
(Ky është edhe problemi më i madh i PS-së – mungesa e një kundërshtari politik solid dhe serioz.)
Këtë problem opozita nuk mund ta zgjidhë dhe madje as ta maskojë me marifete mediatike, si kjo e rrjedhjes së bisedave telefonike mes qehallarëve të PS-së. Argumenti se “ky (Rama) i ka kapur të gjitha dhe nuk të lë” është argumenti i humbësit.
Përndryshe, edhe sikur regjistrimet e Bild-it të përmbanin një smoking gun, kjo nuk është se do t’ua shtonte njerëzve besimin se opozita është “ndryshe nga këta”. Mjafton një arsyetim gjakftohtë, për të nxjerrë përfundimin se vullneti për të ndërhyrë në ecurinë e zgjedhjeve ka të bëjë me deficitin moral të klasës sonë politike në tërësi; dhe të mospajtimit midis sistemit republikan, liberal, pluralist dhe demokratik që sugjeron Kushtetuta nga njëra anë, dhe instinkteve politike të shqiptarit të sotëm në pushtet, i cili përgjithësisht nuk e ndienobligimin moral për shërbim publik.
Dhe kur imperativi moral mungon, nuk ka transparencë, të vullnetshme ose të siguruar nga një palë e tretë (përgjimi) që ta kompensojë këtë gjymtim moral të politikës; sepse për nga vetë natyra e saj, politika nuk mund të funksionojë, përveçse si një ekuilibër dinamik mes publikes dhe jo-publikes, asaj që thuhet hapur dhe asaj që mbahet e fshehtë, skenës dhe prapaskenës.
Nëse zhvillimet e tanishme, përfshi edhe psyops, do të kishin një efekt pozitiv, ky nuk mund të jetë veçse forcimi i bindjes, në publik, se Shqipëria ka nevojë për më pak qeveri, më pakpolitikë, më pak ushtrim kapilar të pushtetit nga ana e një elite, sidomos kur kjo elitë është kaq modeste sa kjo e tanishmja. Në kuptimin që, pikërisht tani, duhen gjetur mënyra kushtetuese dhe thjesht politike, për të mos e lejuar elitën drejtuese që të dëmtojë aq sa ç’do të kish dashur.
Përndryshe, fushatistët politikë të së nesërmes thjesht do të urdhërohen t’i bëjnë bisedat e tyre në Whatsapp, i cili ofron enkriptim më të sigurt.(Peizazhe.com)