Po sikur Neymar të kthehet te Barcelona? Lajmi ka kohë që qarkullon, është kthyer në një barcaletë tashmë, por jemi ende në fillim të verës dhe 2 vite në Francë duket se i kanë mjaftuar yllit të Brazilit për të kuptuar se gaboi që u largua nga Camp Nou.
Globo Esporte në Brazil del me një lajm të bujshëm tashmë: Barcelona po bisedon me Neymar dhe është gati ta rikthejë në shtëpi.
Barça ka nevojë për yllin e vet, sepse Dembele e Coutinho dështuan, ndërsa Neymar nuk ka për ta fituar kurrë Topin e Artë në Paris, aty ku Champions League nuk është më një fiksim, por një makth.
Po PSG çfarë mendon? Klubi francez duket se është lodhur nga gjithë thashethemet dhe ngacmimet mediatike, ndaj tashmë për të rregulluar bilancet dhe për t’i dhënë edhe më shumë përgjegjësi sulmuesit francez Mbappe, është gati të shesë yllin e vet, i blerë për 222 milionë euro para 2 vitesh.
Kostoja do të jetë sërish stratosferë, por Barcelona nuk do i afrohet çmimit rekord vendosur në 2017. Klubi blaugrana shpreson që Neymar të ushtrojë presion dhe është gati të ofrojë vetëm 100 milionë euro, por edhe Dembele apo Rakitic, apo edhe të dy bashkë në rastin më të keq.