“Këto janë biseda të zakonshme për shumëkënd nga të gjitha anët politike që merret me fushatë dhe nuk mund të nxirret nga konteksti dhe të abuzohet me një shprehje”, – deklaroi sot deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, ndërsa ftoi prokurorinë dhe gjykatat që të mundësojnë zbardhjen deri në fund të çështjes së përgjimeve.
E ftuar në një studio televizive, deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli iu referua debatit lidhur me përgjimet e publikuara nga “Bild”.
“Le ta hapim këtë kuti Pandore dhe t’i shohim gjërat me qetësi nga ’91 deri më sot. Por gjithëkush kupton se kjo gjë ëshë bërë për të njollosur procesin, që nuk mund të njolloset. Përfshirja e deputetëve në një proces zgjedhor është gjëja më normale që ndodh, të përfshihesh është detyra e tyre”, – tha Kodheli.
Ajo tha se e njeh Arben Keshin për një djalë shumë korrekt, por kjo nuk do të thotë që prokuroria të mos hetojë. “Për periudhën që ka punuar me mua ka qenë i papunë, nuk ka qenë i punësuar në shtet”, – tha Kodheli.
Ndërkohë, ajo tha se ata që akuzojnë janë pseudo-moralistë dhe pseudo-puritanë që janë të mbushur deri në fyt me krime elektorale.
“Ligji është aty, morali është aty. Nuk impresionohem nëse gazeta quhet ‘Bild”, apo një tjetër. Ata kanë gjetur një mënyrë komunikimi për t’u bërë të besueshëm. Por çështja është komplekse, të rrimë dhe të presim, të dëgjojmë dhe të gjykojë institucioni i Prokurorisë, i gjykatës dhe moralisht edhe votuesi e populli shqiptar”, – tha Kodheli.
Kodheli ftoi prokurorinë që me forcën e vullnetit t’i shkojë deri në fund kësaj historie, por sipas saj, “duhet ta kishin bërë shumë kohë më parë”. “Të kemi durimin e mjaftueshëm që kjo çështje dhe shumë të tjerave pezull të vazhdojnë të zbardhen. Kam qenë dhe do të jem kundër blerjes së votës dhe të drejtës së shqiptarëve për të votuar. Nuk ka asnjë forcë t’i pengojë njerëzit të shkojnë të votojnë, sepse është shtylla kryesore e sistemit që kemi zgjedhur tashmë”, – tha ajo.(ATA)/l.m