Jam e gëzuar t’ju njoftoj se do të këndoj në Shqipëri të premten në 21 Qershor në Butrint. Do të jetë e mrekullueshme dhe shpresoj që do të jeni të shumtë atë ditë”.
Është ftesa që Carla Bruni i bën publikut shqiptar në mbyllje të intervistës dhënë për gazetarin Blendi Fevziu. Një ekip i televizionit Klan ishte në Paris në një intervistë ekskluzive për emisionin “Opinion” me kantautoren e njohur italo-franceze dhe ish-zonjën e parë të Francës, bashkëshorten e ish-Presidentit Nikolas Sarkozy, intervistë e cila do të transmetohet në ditët në vijim.
Është ardhja e saj e parë në Tiranë me albumin e saj më të fundit “French Touch”. Ky bashkëpunim me televizionin Klan do të sjellë në Butrint, në këtë objekt të trashëgimisë botërore, artisten e njohur që shkaktoi zhurmë e trazoi Elysee-n më këngët e saj dedikuar Nikola Sarkozy. Koncerti i 51-vjeçares, modele e kantautore me 5 milionë kopje albumesh të shitura, është pjesë e organizimeve që mbahen thuajse në gjithë botën për muajin e muzikës, Qershorin.
Larg vëmendjes së politikës, përkushtuar muzikës, “French Touch” është albumi i pestë i Carla Brunit. Prej dy vitesh i hedhur në tregun muzikor e pas disa koncerteve në Shtetet e Bashkuara e Evropë, radha është e Shqipërisë, me koncertin e parë të Carla Brunit, në parkun kombëtar të Butrintit.