Kryeministri Edi Rama ka zbuluar një incident që ka ndodhur në vitin 2011 kur për bashkinë e Korçës garonte Niko Peleshi, teksa gjatë fushatës elektorale e kanë ndjekur banditë -siç Rama u shpreh, dhe se policia i ka dalë në mbrojtje atyre.
Rama tha se akuzat e opozitës joparlamentare për blerje të votave nuk qëndrojnë, pasi sipas tij Partia Socialiste e ka treguar se ka fituar zgjedhjet në 2013-ën përballë Berishës që siç ai akuzoi edhe ka vrarë njerëz, kështu që fitorja në garë me Lulzim Bashën – tha Rama është fitore e garantuar.
“Në zgjedhjet e vitit 2011 në Korçë, deri brenda në oborrin e policisë i shkonin pas banditët Niko Peleshit, dhe drejtori i Policisë i thoshte e kemi hapur policinë dhe për qytetarët, jemi transparentë, nuk kemi çfarë t’i themi qytetarit. Si ka mundësi tani Saliu, mbasi e kishte treguar se ishte në gjendje të vriste dhe njerëz, në 2013-ën e mundëm, kurse në 2017-ën për të mundur Lulin paskemi blerë vota. Partinë e Lulit, të Mulit, Gridës dhe Salianjit, ne u dashka ta mundim duke u hedhur nëpër Shqipëri për të kultivuar drogë për të mbledhur para dhe për të blerë? Këto janë versione ekstremiste të budallallikut njerëzor”, tha kryeministri gjatë takimit elektoral në Korçë.
g.kosovari