Topi: Duhet një riformatim rrënjësor i qeverisë
Kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi i ftuar në News 24 ka folur për një sërë çështjes të aktualitetit. Në atmosferën festive që ka pushtuar vendin, Topi tha se ky rezultat i Kombëtares e fut Shqipërinë në elitën e futbollit Europian.
Ai ka uruar lojtarët dhe trajnerin për fitoren. “ Ky rezultat na fut në elitën e futbollit Europian. Do doja të uroja lojtarët, trajnerin. I takon më shumë që të merremi me protagonistët. Ka një paradoks midis nivelit që ka futbolli në Shqipëri dhe arritjes së përfaqësues së Shqipërisë. Sa na gëzon fakti që shkojmë në Euro2016, aq duhet të na tërheqin vëmendjen kushtet ku është futbolli në Shqipëri. Tirana nuk ka një stadium”, tha Topi.
Duke u ndalur tek përmbytjet në vend, kreu i FRD-së tha se duhet prezencë e autoriteteve në zonat e përmbytura. “Përmbytjet, ndodhi kudo. Duhet prezencë e autoriteteve, të tregojnë solidaritet, të organizojnë punën për të dalë nga situata të tilla”, u shpreh Topi.
Kreu i FRD-së ka folur edhe për marrëdhëniet në maxhorancë, të cilat i ka cilësuar të brishta, por sipas Topit koalicioni do të vijojë deri në fund të mandatit.
“Unë e analizoj si një politikan, por jashtë koalicionit qeverisës. Ne jemi në koalicion për qeverisjen vendore. Jemi ofruar për reformat kryesore, për shtetin, për drejtësinë. Natyrisht që i takon atyre, sa kohë dy kryetarët e dy partive në koalicion i veshin me vello tymi, por besoj se Shqipëria është vend i vogël dhe gjërat merren vesh pavarësisht artikulimeve. Marrëdhënie e brishtë, nuk ka qenë më si ka qenë. Gjërat duhen thënë troç, duhen thënë drejtë. Është më mirë e më frytdhënëse edhe për ata që të kanë votuar. Por në këndvështrimin tim, ky koalicion do të vazhdojë deri në fund të mandatit. Është çështje interesash politike”, theksoi Topi.
Kreu i FRD-së ka folur edhe për ndryshimet në qeveri, për të cilat tha se janë mëse të nevojshme, por është e drejtë e kryeministrit. “Është e drejtë kushtetuese e kryeministrit. Për sa kohë e thotë edhe zoti Meta. Nuk është çështje impulsi, është nevoja për një riformatim rrënjësor të kabinetit”, tha Topi. Për dekriminalizimin, kreu i FRDsë deklaroi se parlamenti ka nevojë të dekriminalizohet, duke filluar nga partitë.