Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi se dekreti i presidentit Ilir Meta për të anuluar 30 qershorin cenon të drejtën për të zgjedhur.
“Presidenti ka cenuar të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. E drejta e zgjedhjes është individuale dhe jo kolektive. Edhe dorëheqjet e deputetëve duhet të ishin individuale dhe jo kolektive. Më tej në arsyetimin e tij presidenti thotë se mospjesëmarrja e partive opozitare në zgjedhje është cenim i të drejtës së tyre, por nga ana tjetër kjo e drejtë shkelet ku ato ndalohen të marrin pjesë në zgjedhje. PD dhe LSI kanë bërë presion për të mos u regjistruar në zgjedhje. Presidenti e di këtë akt dhe kodi e thotë se pengimi për të marrë pjesë në zgjedhje dënohet me ligj.
Me mbarimin e mandateve vendi nuk ka më as këshilltarë dhe as kryetar bashkie. Akti i presidentit është i pavlefshëm. Ai ngarkon me ekzekutimin e tij KQZ, e cila nëse e zbaton atë shkel rëndë kodin zgjedhor. Ky është një diskutim që duhet të jetë pjesë e debatit në këtë seancë”, tha Balla.
g.kosovari