Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cilësoi dekretin e Presidentit Ilir Meta për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve, 30 qershorin, një akt absolutisht të pavlefshëm juridikisht.
E ftuar në një studio televizive, Gjonaj duke shpjeguar juridikisht arsyet se pse ky akt i Presidentit Meta është i pavlefshëm juridikisht, theksoi se “Presidentit në Kushtetutë nuk i njihet e drejta ta zhdekretojë aktin e parë me një të dytë. Presidenti ka kompetenca në bazë të Kushtetutës neni 92 pika gj., të përcaktojë dhe vendosë datën e zgjedhjeve. Në asnjë moment Kushtetuta nuk i jep të drejtë ta zhdekretojë këtë akt me një akt të dytë”.
“Presidenti ka vepruar në kundërshtim me praktikën kushtetuese, siç është vepruar deri tani në lidhje me vendosjen e datës së zgjedhjeve. Pra, ai do të duhet të kishte thirrur palët për shkak të praktikës kushtetuese. Akti i tij është antikushtetues edhe në afate. Ka shkelur të gjitha afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, i cili thotë se nga 30 marsi deri më 30 shtator duhet të ketë zgjedhje, një nga dy të dielat e fundit”, – nënvizoi Gjonaj.
Sipas saj, Kushtetuta përcakton përfundimin e mandatit të të zgjedhurve të pushtetit vendor në 10 gusht.
“Kushtetua nuk e ka përcaktuar më tej zgjatjen e mandatit të organeve të pushtetit vendor. Pra, Presidenti e lë vendin në një pasiguri. Pas datës 10 gusht pushteti vendor nuk është më në detyrë, i mbaron mandati. Nëse nuk janë zhvilluar zgjedhjet më 11 gusht ata nuk janë më detyrë. Nuk mundet që atë që nuk e thotë Kushtetuta të thotë një akt tjetër”, – tha Gjonaj.
Po ashtu, shtoi ajo, me këtë akt është cenuar e drejta e zgjedhësve për të zgjedhur.
Ministrja Gjonaj u shpreh se “Meta jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera i takon të jetë institucional dhe jo politik. Ai është organi më i lartë që qëndron mbi palët”.