Tashmë ka ardhur koha kur dijet dhe profesioni të shpërblejnë më shumë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se shërbimet profesionale janë ato që po hapen më shumë vitet e fundit, teksa po mbyllen subjektet tregtare dhe ato të bar kafeneve.
Bizneset që kanë shënuar rritjen më të lartë në vlerë absolute në 2019-n janë ato në “Aktivitete të drejtimit të ndërmarrjeve dhe aktivitete të konsultimit”. 186 subjekte të reja (shtesa neto) të kësaj kategorie u hapën në 2018-n, duke arritur në total në 793. Ndonëse numri total i tyre është i ulët në raport me sipërmarrjen tradicionale të shqiptarëve, atë të tregtisë (ku ka gjithsej 35 mijë subjekte), biznesi i shefave dhe i konsulencës ka arritur një rekord të tijin në 2018-n sa i përket hyrjeve të reja në treg. Në raport me vitin 2013, numri i tyre është katërfishuar.
Bizneset e konsulencës u rrit ndjeshëm vitet e fundit edhe për shkak se shumë profesionistë dolën nga skema e sigurimeve për shkak të tatimit prej 23% mbi pagat mbi 130 mijë lekë (nga 1 janari kufiri u rrit në 150 mijë lekë), dhe u regjistruan si biznese private, si një skemë për shmangin e këtij tatimi të lartë, duke shfrytëzuar hendeqet fiskale (bizneset me xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë kanë tatim fitimi zero). Kjo nxiti dhe autoritetet fiskale që të rishikonin legjislacionin këtë vit përmes një pakete ligjore që synonte uljen e shmangieve nga këta individë. https://www.monitor.al/skema-si-individet-me-paga-te-larta-shmangen-taksat-pakete-ligjore-per-ti-kapur/
Në vend të dytë është kategoria e “aktiviteteve të shëndetit”, me 129 ndërmarrje të reja të hapura, duke e çuar numrin e tyre në total në 3,321. Vitet e fundit është zhvilluar ndjeshëm mjekësia dhe laboratorët private, si një kompensim i mungesës së cilësisë së shtetit në këtë shërbim jetësor.
Biznesi i tretë me rritjen më të lartë në vlerë absolute është ai i shërbimeve të teknologjisë dhe informacionit, me 117 të tilla. Megjithatë, numri total i këtyre subjekteve prej rreth 1,200 të tilla mbetet i ulët në epokën globale të dixhitalizimit.
Shërbimet juridike e të kontabilitetit po bëhen të preferuara, me 116 subjekte të reja të hapura, duke e çuar numrin e tyre në total në 3,376.
Teksa sipas të dhënave të Moneyval vetëm 8% e transaksioneve të pasurive të paluajtshme kryhen përmes agjencive, duket se ka një hapësirë të lartë për këtë aktivitet. Numri i subjekteve të reja ishte 115, duke arritur në total në 847.
Kërkesa për ndërtime cilësore është rritur vitet e fundit, me shtimine vilave dhe apartamenteve luksoze. Kjo ka nxitur dhe aktivitetet në punime të specializuara ndërtimi, me 109 subjekte të reja, duke e çuar numrin e tyre në total, në 1,848.
Në fund të vitit 2018, në vend kishte 121 mijë biznese (pa përfshirë fermerët), me një rënie prej 4000 subjektesh (-3.3%). 29% e subjekteve totale janë në fushën e tregtisë me pakicë dhe 15% në atë të shërbimeve të ushqimit dhe pijeve (bareve e restoranteve). Mbylljet e 2018-s ishin pikërisht nga këto dy aktivitete, që kanë qenë historikisht të preferuarat e shqiptarëve, por që tashmë nuk po ecin më, duke ua lënë vendin bizneseve profesionale./monitor
g.kosovari