Në interes të plotë ndaj interesave të opozitës, Presidenti ka krijuar një tjetër ngërç, që, në fakt, përveçse po thellon krizën duke e çuar atë në majën e tehut, po vepron kundër të drejtave themelore të njeriut.
1- Përveç shkeljeve të shumta procedurale të Kushtetutës, Ilir Meta, me dekretin e sotëm tentoi të shkelte edhe disa të drejta themelore e kushtetuese të njeriut.
Ilir Meta po pengon të drejtën e shtetasve shqiptarë për të zgjedhur, që është një e drejtë themelore kushtetuese që dallon sistemet demokratike nga ato diktatoriale.
Se çfarë duhet të kenë shqiptarët, e mendojnë ata vetë në shtëpitë dhe mendjet e tyre dhe jo presidenti, që është zgjedhur nga një marrëveshje politike dhe Parlamenti dhe aspak nga vota e drejtpërdrejtë. Nuk ishin shqiptarët që e deshën atë president por rrethana politike.
2- Ilir Meta po u pengon të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur plot 42 partive e qindra kandidatëve, që ndryshe nga PD-ja e LSI-ja, të cilat zgjodhën me dëshirë të mos marrin pjesë në zgjedhje, kanë nisur fushatën elektorale.
3- Ilir Meta po cenon skadencën e mandateve të të zgjedhurve, çka është një tjetër element kushtetues që bën dallimin mes demokracive ku zgjedhjet bëhen periodike dhe diktaturave ku mandatet janë pa limit e pa zgjedhje.
Të paktën në këto tre pika presidenti ka gabuar. (Tiranapost.al)