Prokurori i dosjes 339 dhe 339/1 Vladimir Mara që po heton Vangjush Dakon dhe grupin e Avdylit, pritet të dalë para Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit në datën 12 qershor ku do të njihet me gjetjet e anëtarëve të këtij komisioni.
Mara është një nga kandidatët për tu bërë pjesë e SPAK. Nëse Mara kalon vettingun, atëherë shumë shpejt atij i hapet rruga për tu verifikuar më pas nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e cila do votojë ose jo Marën për të qenë pjesë e SPAK.
Trupa gjykuese përballë së cilës do të dalë prokurori Mara përbëhet nga: Pamela Qirko, Firdes Shuli, Alma Faskaj. Donika Prela, Dritan Prençi, Arben Kraja, Edvin Kondili dhe Eneid Nakuçi janë kandidatët për SPAK që janë konfirmuar në detyrë pas procesit të vetting-ut. Ndërkohë që për Shkëlzen Cenën, gjithashtu kandidat për SPAK-un, vendimi i KPK-së do të bëhet publik më 14 qershor.