Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar nga Burreli largimin e presidentit Ilir Meta, për të cilin tha se nga dje e ka shkruar vetëfatin e tij dhe se e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë.
Rama deklaroi se dje papritur për shumëkënd por krejtësisht sipas parashikimeve tona dhe të miat, u shfaq shpëtimtar i atyre që kishin mbetur atje në rrugë.
Rama tha se as më shumë e as më pak presidenti i Republikës bëri një akt që politikisht është vetëvrasje, ligjërisht është nul, nuk ekziston dhe moralisht është turp si s’ka më turp.
“Mos u çudisni nëse ju them se nga fronti i shpëtimtarit të opozitës skemi aprë gjë akoma. Nuk është çmenduria e fundit do ketë edhe të tjera por ama një gjë është e sigurt. Do apo s’do Saliu, do apo sdo Iliri, do apo sdo Lulzimi, do apo sdo filaxhani zgjedhjet do mbahen më 30 qershor.
Kushtetuta e Republikës nuk është filaxhan që rroturllohet, zgjedhjet nuk janë lloj i kafes turke që e kthe përmbys bashkë me filxhanin. Fatin e tyre politikanët e shkruajnë vetë. Dje Ilir Meta ka shkruar fatin e tij, si një president që e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë. Të gjitha ata që udhëheqin lëvizjen Rama ik, do ikin një nga një vetë”, deklaroi Rama.
Kryeministri deklaroi gjatë takimit në Burrel ku prezantoi kandidatët e PS se, ka shumë më tepër njerëz se ç’dalin në bulevard që duan që kjo qeveri të ikë një orë e më parë, por ama shumica e atyre njerëzve që kanë të gjithë të drejtat e tyre të mendojnë ndryshe nuk janë budallenj dhe nuk mund t’i tërheqë kush prej hunde.
Rama tha se qeverinë nuk e rrëzon asgjë përveç votës së popullit por dëmton ekonominë e secilit.
g.kosovari