Erion Veliaj ka vijuar sot fushatën elektorale në Baldushk ku është takuar me banorët duke deklaruar edhe njëherë se më 30 qershor do të ketë zgjedhje.
Ai tha se më datë 30 qershor është populli që merr në punë politikanët jo politikanët që prishin punët e popullit.
Kryebashkiaku i Tiranës tha se nëse presidenti mendon se nuk do të ketë zgjedhje lokale, atëherë duhet t’i bëjë vetë punët e pushtetit vendor duke i numëruar ato.
“Do të ketë zgjedhje më 30 qershor. Do ketë zgjedhje në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë. E kemi detyrim kushtetues të zhvillojmë zgjedhjet
Nëse në datë 30 qershor mendon presidenti se nuk do ketë zgjedhje, më 1 korrik do dalë ai ti pastrojë plehrat, do i hipë ai kamionit të qumështit, do i japë ai kamionit të peletit që çon peletë në kopshte. E kuptoni sa qesharake.
Më datë 30 qershor pyetja është do mendojmë për kalamajtë tanë apo kalamajtë e tyre. Ata kalamajtë e tyre i kanë të gjithë jashtë shtetit.
Sa të rritet Luli e sa t’i japë sisë Saliu me Presidentin çfarë do bëjmë?! I rrahëm në 2013, i rrahëm më thellë në 2015, i shkatërruam totalisht në 2017 dhe do superfitojmë në datë 30 qershor. Kur një autobus ecën shtrembër, nuk ndërrohet pasagjerët por shoferi.
Nëse PD nuk gjen dot një shofer, nuk ndërrojmë dot popullin për të, atëherë ndërrohet shoferi se ka 4 herë që nuk fiton dot”, deklaroi Veliaj.
Ai tha se arsyeja përse opozita nuk i do këto zgjedhje është se nuk kanë më fytyrë t’u dalin njerëzve përpara.
Më tej, ai shtoi se shfuqizimi i dekretit të zgjedhjeve nga ana e Presidentit të Republikës është një akt i pavlefshëm juridik, ndaj, theksoi Veliaj, në 30 qershor qytetarët dhe ata të gjithë Shqipërisë do të votojnë për të zgjedhur drejtuesit e rinjë të bashkive dhe për të vijuar rrugën e nisur të zhvillimit.
“Nëse këta do e mbajnë njëri-tjetrin me gajret dhe serume dhe do çojnë letra nul që s’kanë pikë vlere juridike, do çojnë letra nul që s’kanë pikë vlere morale, letra nul si letra vetëvrasje politike, këta le t’ia çojnë njeri-tjetrit, por nuk jemi këtu për hallet e tyre, ne jemi këtu për hallet tona, për t’i zgjidhur dhe për të punuar për familjet tona dhe fëmijët tanë. Në datën 30 qershor, ata mund të çojnë letra, serume, llokume, njeri tjetrit sa të duan, por në datë 30 qershor, çdo njeri në Tiranë e Shqipëri do zgjohet në mëngjes dhe do i bëjë një pyetje vetes: Do votoj ose do merrem me pazarin që këta duan për 30 vitet që ikën apo do punoj për marrëveshjen që unë dua për 30 vitet që do vijnë?! Kjo është pyetja”, tha Veliaj
g.kosovari