Tirana, prej kohësh tanimë, tërheq vëmendjen e gazetarëve të huaj për gjallërinë që ka, por edhe për transformimin e pësuar, sidomos kur ndërthuret ruajtja e së shkuarës me modernizmin. Këto ditë, një nga gazetarët më të njohur britanikë, Shaun Walker, korrespondent i gazetës prestigjioze britanike “The Guardian” për Evropën Qendrore dhe Lindore, ka vizituar kryeqytetin shqiptar dhe përmes postimeve në “Twitter” ka ndarë me miqtë e tij disa nga momentet dhe përjetimet për Tiranën.
“Një vend i mrekullueshëm për t’u vizituar. Tirana është një vend interesant. Disa tregime nga Shqipëria vijnë së shpejti”, shkruan Shaun Walker.
Reagimet kanë qenë të shumta edhe nga miqtë e tij të huaj, të cilët e cilësojnë Tiranën si një qytet shumë të bukur dhe miqësor. “Akulloret janë të mrekullueshme, njerëzit janë miqësorë, një qytet shumë i bukur. Pamje e mrekullueshme nga maja e teleferikut gjithashtu. Shpresoj që të shijoni pjesën tjetër të kohës tuaj atje”, shkruan njëri prej tyre.
Një tjetër, me profesion arkitekt, i cili e ka vizituar Tiranën tetorin e shkuar, thotë: “Studioja arkitekturore C20WestMids kaloi një javë në Tiranë, tetorin e kaluar, dhe zhvilluan një prezantim në janar. Qytet interesant, njerëz mikpritës, histori të papara”.
Ritmi i kryeqytetit, por dhe ajo se çfarë ofron për turistët e shumtë, ka bërë që vizitorët të dashurohen me kryeqytetin. “Mahnitëse, faleminderit që e ndan me ne! Kam vizituar Tiranën tetorin e kaluar dhe e kam dashuruar”, shton një tjetër.
Mes shumë fotove të publikuara nga Shaun Walker, bie në sy edhe një postim për kryebashkiakun Veliaj. Gazetari thotë se teksa po intervistonte Veliajn, ky i fundit e ndërpret dhe i thotë: “Më prisni pak, sa të celebroj një çift” (dhe shfaqen karriget, mysafirët, torta)”.
/a.rada