Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se ka anuluar një projekt në vlerë prej 12 milionë eurosh për ndërtimin e deponisë së mbeturinave të rrezikshme në Kosovë.
“BE-ja shpreh keqardhje për anulimin e këtij projekti, i cili do t’i sillte përfitime të mëdha gjithë popullsisë, duke siguruar deponi të përshtatshme për mbeturinat e rrezikshme. Aktualisht, nuk ka një përkujdesje për këto mbeturina dhe si të tilla paraqesin kërcënim për shëndetin e njerëzve në mbarë Kosovën”, thuhet në njoftimin zyrës së BE-së.
Sipas BE-së, deri te anulimi i projektit erdhi pasi Kuvendi Komunal i Fushë Kosovës refuzoi ngritjen e deponisë në territorin e kësaj komune dhe se tani nuk ka kohë të mjaftueshme për identifikimin e një parcele të re.
Ndërkohë në komunën e Fushë Kosovës thonë se lokacioni nuk ka qenë adekuat për ndërtimin e kësaj deponie si dhe sipas tyre, kundërshtimi është bërë për t’i respektuar kërkesat e banorëve dhe bizneseve përreth.
“Banorët nuk kanë pranuar që kjo deponi të ndërtohet në atë lokacion dhe komuna ka respektuar kërkesat e atyre duke përfillur edhe kërkesat e bizneseve, duke përfshirë edhe Aeroportin Ndërkombëtar”, tha për Radio Evropa e Lirë zëdhënësi i komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli.
Me tej, Topalli tha se ndarja e lokacionit ishte bërë nga niveli qendror, pa pajtim paraprak të komunës së Fushë Kosovës.
“Komuna e Fushë Kosovës nuk ka qenë kundër këtij projekti, por ka qenë kundër lokacionit. Në fakt kemi kërkuar që BE të shqyrtojë mundësinë që kjo deponi të ndërtohet në një lokacion tjetër dhe jo në atë zonë ku është planifikuar pa pëlqimin tonë”, tha Topalli.
Ndërkohë, ka reaguar edhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Prishtinë duke e vlerësuar si shqetësim të thellë, siç thuhet, paaftësinë e Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve relevante komunale për të përfituar nga ndihma financiare e Bashkimit Evropian, në vlerë prej 12 milionë euro, e që i dedikohet ndërtimit dhe menaxhimit të mbetjeve toksike.
“Humbjet e tilla të fondeve IPA-s (Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit) nuk kanë vetëm peshë financiare, por, më së shumti, kontribuojnë në dëmtimin e imazhit të Republikës së Kosovës si një partner serioz në procesin e integrimit”, thuhet në reagimin e Grupit për Studime Juridike dhe Politike.
“Këto fonde ishin donacion që BE-ja i ka dedikuar Kosovës, kurse institucionet e Kosovës, së paku, është dashur të jenë falënderuese dhe të çmojnë ndihmën e drejtpërdrejtë për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, thuhet ndër tjera në reagimin e GSJP-së.
Fillimisht ndërtimi i kësaj deponie ishte paraparë që të bëhej brenda kompleksit të vjetër ushtarak në Harilaq të Fushë Kosovës, mirëpo, pas studimeve paraprake, ishte konstatuar se nuk është hapësirë e përshtatshme për shkak të mjeteve të pashpërthyera dhe bunkerëve të vjetër.
Zyra e BE-së thotë aktualisht ekzistojnë një numër vendhedhjesh të paligjshme që ndodhen afër zonës ku ishte paraparë të ndërtohej deponia, gjë që mund të paraqesë rrezik për shëndetin e qytetarëve.(rel)/l.m