Ambasada amerikane në Beograd reagoi pasi ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, iu bashkua një fushate në internet, duke shkruar në kartëmonedhën 100-dollarëshe me alfabet cirilik “Kosova është Serbi”.
“Në vend se të shkatërrojë kartëmonedhën me imazhin e shkencëtarit të madh amerikan dhe burrështetasit, Benjamin Franklin, ministri Daçiç do të mund të mendonte ndoshta për thënien e tij: ‘Ji në luftë me veset tuaja, e në paqe me fqinjët”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Beograd dërguar Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se fushata, në të cilën ka marrë pjesë edhe zyrtari i lartë serb, është denigruese për vetë serbët.
Daçiç, në një deklaratë për gazetën serbe “Blic”, e arsyetoi qasjen e tij, duke thënë: “Kjo është politika jonë shtetërore, këtë e them vazhdimisht dhe pse mos ta shkruaj”.
Ai po ashtu tha se paratë nuk ishin të tijat dhe se qasja e tij nuk ka lidhje me Shtetet e Bashkuara.
Sipas mediave serbe, Daçiç tha se fjalët “Kosova është Serbi” do t’i shkruante në kartëmonedhën e secilit vend që e thotë të kundërtën.
Në mbrojtje të ministrit Daçiç u shpreh udhëheqja e Partisë Socialiste të Serbisë, e cila kryesohet nga Daçiç.
Si ka nisur kjo?
Në deklaratën e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç, e cila, duke folur për udhëheqësit e Kosovës, tha se ka punë me “njerëz që kanë dalë prej malit”, qytetarët e Kosovës reaguan me një fushatë në internet, duke postuar fotografi me hashtag-un #LiterallyJustEmergedFromTheWoods, që do të thotë “të sapodalë nga mali”.
Disa ditë më vonë, pronari i kafenesë në Beograd “Pavle Korçagin”, Vojin Cuciq, iu bëri thirrje ndjekësve në mediat sociale që në bankënotat e dollarit dhe euros të shkruajnë “Kosova është Serbi” dhe fotografitë e tyre t’i shpërndajnë online.
“Sikur secili serb të shkruante vetëm një bankënotë, kjo do të ishte fushatë e mrekullueshme”, thuhet në një nga postimet në Instagram të kësaj kafeneje.
Aksioni u zhvillua me mbishkrime edhe në bankënotat e Australisë, Danimarkës, Arabisë Saudite, Britanisë së Madhe dhe disa vendeve të tjera.
Fushata mori vëmendje më të madhe pasi asaj iu bashkua ministri serb, Daçiç.
Disa qytetarë të Kosovës u kundërpërgjigjën, duke postuar në mediat sociale bankënota me mbishkrimin “Kosova është Kosovë”. Në mesin e këtyre bankënotave u vërejt edhe dinari serb.
A është shkelje shkrimi në bankënota?
Dëmtimi i një monedhe, sipas ligjit në Shtetet e Bashkuara, është shkelje që dënohet me gjobë financiare ose burgim deri në gjashtë muaj, por vetëm nëse dëmtimi “bëhet me qëllim që letrat me vlerë të bëhen të papërshtatshme për përdorim”.
Nga kjo rrjedh se rregulloret amerikane nuk e ndalojnë shkrimi i mesazheve në bankënota, përveç nëse ato dëmtohen aq shumë saqë nuk mund të përdoren.
Në Serbi, shkrimi në bankënota nuk është kundërvajtje, por bankënotat e dëmtuara konsiderohen të papërshtatshme për qarkullim./l.m