Atë që duket se e nënvlerësoi plotësisht May ishte fuqia shkatërruese e Brexit-it. Për të ruajtur bazën e pushtetit në partinë e saj, kryeministrja u përkul që herët përballë kërkesave të mbështetësve të linjave të ashpra antievropiane. Në janar të vitit 2017, ende pa filluar negociatat me BE-në, Theresa May përcaktoi vija të kuqe, me të cilat ajo krijoi si problemin e kufirit irlandez, ashtu edhe e bëri të pamundur një ndarje më konsensuale, më të favorshme nga Evropa. Një numër ministrash për Brexitin, jo diplomatikë dhe / ose pa haber pastaj i kthyen negociatat pothuajse dyvjeçare një provë nervash.
May, megjithatë, e gërmoi vrimën edhe më thellë, duke u lidhur politikisht me përcaktimin e saj të hershëm për një “Brexit” të pastër, për një ndarje të ashpër nga BE. Ajo këmbënguli në mënyrë të ngurtë për vijat e saj të kuqe, të cilat reflektonin në radhë të parë mendimet e mbështetësve të linjës së ngurtë të Brexitit në partinë e saj. Sa më të vështira bëheshin bisedimet me Brukselin, aq më shumë i forconte barrikadat May në pozicionin e saj të pakthyeshëm.
Në këtë kuadër kryeministrja duket se harronte se ato përfaqësonin vetëm mendimin e një pakice në vend dhe në Parlament. Për gati dy vjet, May nuk arriti të lidhë kompromis me opozitën laburiste ose me SNP skoceze. Përpjekjen për këtw ajo e nisi këtë pranvërë, kur ishte tepër vonë.
Fundi i keq është i njohur: Midis janarit dhe fundit të marsit, Dhoma e Poshtme e Parlamentit Britanik e hodhi poshtë tri herë marrëveshjen e daljes nga BE. Brexitasit konservatorë të vijës së ngurtë thanë jo për shkak të kompromisit me kufirin irlandez, opozita tha jo për shkak se ata nuk donin të mbështesin një “Brexit të keq të Tory”. Asnjë kryeministër para Theresa May-t të nuk kishte përjetuar ndonjëherë humbje të tilla. Megjithatë, May mendoi ta paraqesë madje për herë të katërt Marrëveshjen në Parlament. Por ajo qe e detyruar të pranonte se situata e saj ishte e pashpresë – asaj i mbeti vetëm dorëheqja.
Tri vjet ndenjie në vend
Theresa May jo vetëm dështoi të “ofronte” një Brexit ashtu siç e kishte premtuar shumë herë. Përqëndrimi në këtë objektiv politik solli njëkohësisht një paralizë të plotë të pjesës tjetër të politikës. Që nga rritja e vrasjeve nga sulmet me thikë deri në falimentimet e mëdha të sipërmarrjeve – për asnjë prej krizave të shumta Theresa May nuk gjeti një përgjigje politike apo legjislative. Mungesa dramatike në fushën e strehimit, një reformë e dështuar e mirëqenies ose rritja e numrit të vetëvrasjeve tek të rinjtë tërhoqën vëmendjen dhe mbetën politikisht pa pasoja.
Si kandidati më me shanse për pasardhës aktualisht konsiderohet Boris Johnson, pavarësisht nga dështimet, tersi dhe defektet që shoqëruan mandatin e tij si ish-Ministër i Jashtëm. Shumë shokë të partisë, megjithatë, kanë besim në aftësinë e tij për retorikë popullore, si për ta realizuar Brexitin, ashtu dhe për t’i shitur pasojat e tij. Përveç kësaj, Johnsoni konsiderohet i vetmi, që mund të mundë në votime liderin e opozitës laburiste Jeremy Corbyn, ashtu edhe populistin Nigel Farage. Kandidati e ka përcaktuar 31 tetorin si datë të daljes nga BE, me ose pa marrëveshje.(DW)/l.m