Përralla e Luka Jovic: nga rreziku për të fjetur në makinë te Real Madrid, që e ka blerë për 65 milionë euro. Një histori me fund të bukur, e cila është rrëfyer nga “El Confidencial”, që ka zgjedhur të zbulojë edhe detajet më të errëta.
Serbit i është dashur të kalojë disa vështirësi të mëdha për të arritur në “Santiago Bernabeu”. Nga varfëria te një kërcënim i tmerrshëm: “Nëse nuk paguan, djali yt do të luajë vetëm në një karrige me rrota”.
Familja e Jovic jetonte në kushte të vështira ekonomike. Ka pasur disa raste kur familja ka fjetur në makinë, sepse nuk kishte mundësitë ekonomike për të marrë një dhomë hoteli në qytetin ku Jovic duhej të luante një ndeshje.
Zgjidhja? Parkimi i makinës para hyrjes së stadiumit, me mbulesa dhe jastëkë me vete. Një sforcim i shpërblyer nga djaloshi, i cili ka marrë rrogën e parë pas atij takimi. Pasi ka kaluar testin, ai është paguar 50 eruo për ndeshje, plus 17 për të mbuluar shpenzimet e udhëtimeve.
Nga periferia e Beogradit te Crvena Zvezda, hapi ka qenë i shpejtë. Rritja e tij ka qenë e jashtëzakonshme. Djaloshi ka debutuar dhe ka mahnitur, edhe më shumë se duhej. Policia ka ndërhyrë për ta mbrojtur për shkak të tentativave për shantazh dhe kërcënimeve. Ose do të paguante një pjesë të rrogës, ose do ta qëllonin në këmbë.
Në nëntorin e 2015-ës ka ardhur mesazhi më i rëndë, ai që, pas shumë dyshimesh, ka bindur babanë e futbollistit t’i drejtohet policisë. Autorët e kërcënimeve dhe shantazheve kanë përfunduar në burg, por ka ardhur momenti për të ndryshuar ambient. Familja është transferuar në Portugali, te Benfica, por Jovic e ka pasur të vështirë. Duhej një vend që i përshtatej më shumë karakterit të tij.
Frankfurti nuk është Lisbona, por ka qenë perfekt për karakteristikat e këtij djaloshi, i cili mëson të jetojë dhe mendojë si një profesionist falë babait. “I detyrohem gjithçka atij, më ka bërë një profesionist të kompletuar”, ka thënë Jovic në fillimin e sezonit.
Shumë kohë ka kaluar nga ajo natë në makinë. Jovic shtrihet në një krevat të ngrohtë tani, ëndrrat janë të lumtura dhe kanë shije… “merengues”.
/a.r