Prokuroria e Krimeve të Rënda, e drejtuar nga Donika Prela disa orë pas publikimit të audio-përgjimeve të Dosjes 339 nga gazeta gjermane BILD ka marrë një vendim ekstrem.
Sipas urdhrit të firmosur nga prokurorët Vladimir Marra dhe Dritan Prençi nga sot e në vijim çdo media dhe gazetar që publikon detaje nga dosja hetimore që provon blerjen e votave, do të ngarkohet me përgjegjësi penale sipas nenit 295/a/3 të Kodit Penal.
Sipas këtij neni, kushdo që zbulon akte ose të dhëna sekrete do të dënohet me gjobë ose me burgim deri në 5 vite burg.
“Zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave ose ndihma për të zbuluar të dhënat, të cilat ligji i përcakton si sekret, nga ana e një funksionari publik ose e një personi të ngarkuar me një shërbim publik, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës ose duke abuzuar me cilësitë e veta, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.
Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave, që përmbajnë aktet sekrete, nga prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore, si dhe mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave të përmbajtura në aktet sekrete nga persona të tjerë, që kanë dijeni për të dhëna për procedimin penal e që janë paralajmëruar nga prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore për moszbulimin e tyre, dënohet me burgim deri në tre vjet.
Zbulimi i të dhënave sekrete, që kanë lidhje me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët përfitojnë mbrojtje të veçantë, sipas ligjeve në fuqi, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet”, thuhet në ligj.
/Shqip/ a.r