Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, mbajtën takime në Berlin me përfaqësues të Kancelarisë, Ministrisë së Brendshme dhe Bundestagut, duke falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer ndaj Shqipërisë në rrugëtimin e saj europian.
Në vijim të rekomandimit pa kushte të Komisionit për hapjen e negociatave të BE-në me Shqipërinë, delegacioni shqiptar informoi partnerët kyç në Gjermani mbi ecurinë e reformave shtet-formuese të ndërmarra nga Qeveria shqiptare si dhe përmbushjen plotësisht të kushteve të vendosura nga Këshilli Europian në Qershorin e 2018.
Ashtu si edhe Raporti i Komisionit evidenton, lufta kundër krimit të organizuar është intensifikuar ndjeshëm, sidomos në muajt e fundit, përmes operacioneve të përqendruara ndaj grupeve aktive, duke i zvogëluar hapësirën e veprimit, nëpërmjet përfshirjes, koordinimit dhe harmonizimit të përpjekjeve të gjitha agjencive ligj zbatuese në vend.
Përfaqësuesit e Qeverisë dhe Parlamentit Gjerman, shprehën mbështetje për Shqipërinë, dhe nxitën që zëri shqiptar të jetë i bashkuar, pasi informacione shpesh të kundërta lënë vend për perceptime jo të mira në Gjermani dhe në BE.
Ministrja e Drejtësisë Gjonaj informoi se zbatimi i reformës në drejtësi, si një nga reformat historike të ndërmarrë nga ndonjë vend kandidat, është në fazën e fundit të zbatimit.
Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm Lleshaj theksoi se bashkëpunimi dy palësh policor me Gjermaninë është shumë i kënaqshëm në nivelin operacional dhe me rezultate konkrete. Ai gjithashtu, vuri në dukje faktin se Shqipëria tashmë ka dalë nga harta e kultivimit të kanabisit, përmes një angazhimi ndërinstitucional në nivel qendror dhe vendor, me një plan konkret pune për kontrollin e territorit, rritjen e ndërgjegjësimit në komunitet, duke vënë para përgjegjësisë çdo përpjekje e tentativë për ringjallje të këtij fenomeni.
Në lidhje me fenomenin e azilkërkimit të shqiptarëve në BE, ministri i Brendshëm theksoi se Shqipëria është një vend i sigurt, ku të drejtat e njeriut janë të mbrojtura, e kësisoj çdo përpjekje për të siguruar azil në vendet e BE-së, në mënyrë abuzive, duhet penguar në bashkëpunim mes autoriteteve të dy vendeve. Shqipëria vazhdon të ushtrojë kontroll të rreptë në Pikat Kufitare, por lufta e vërtetë qëndron në goditjen e rrjeteve të organizuara të trafikut njerëzor, që kamuflohen me veprimtari turistike ose mbështetje sociale. Në këtë kuadër, marrëveshja me FRONTEX është një hap i rëndësishëm në përpjekjet e përbashkëta për të frenuar migracionin e paligjshëm, nëpërmjet territorit të Shqipërisë, drejt vendeve të BE. Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë sfidë të përbashkët.
g.kosovari