Ministri i Jashtëm i Sllovakisë dhe njëherësh kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Miroslav Lajçak, tha se “Ballkani Perëndimor është në fokus të kryesimit sllovak të OSBE-së dhe se situata në Kosovë po përcillet me vëmendje të madhe”.
Lajçak u takua në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti serb e ka falënderuar ministrin Lajçak për faktin se Sllovakia po i qëndron vendimit për të mos njohur Kosovën, pavarësisht presioneve, mirëpo duke mos specifikuar se për cilat presione bëhet fjalë.
Gjithashtu, sipas një komunikate për media, Vuçiq ka thënë se Serbia është e angazhuar në dialogun me Kosovën i cili ndërmjetësohet nën kujdesin e Bashkimit Evropian.
Dialogu është duke u zhvilluar në mënyrë që të arrihet një zgjidhje kompromisi, e cila do të jetë e pranueshme për të dyja palët, por Vuçiq ka thënë se për të arritur këtë qëllim, është e domosdoshme që Prishtina të tërheqë vendimin për tarifat 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia.
Vendimi për tarifën ndaj mallrave serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës, është në fuqi që nga nëntori i vitit të kaluar.