Gara e radhës në botërorin e Formula 1 do të zhvillohet në Kanada, në pistën e Montreal. Në këtë garë, makina Mercedes ka vendosur të përdorë motorët e rinj, çka do të thotë më shumë fuqi për njëvendëshet e Lewis Hamilton dhe Valtteri Bottas.
Ka qenë vetë piloti britanik ai që ka konfirmuar lajmin për revistën “Autosport”, duke thënë: “Nëse gjërat do të vijojnë sipas planit fillestar, atëherë në garën e radhës do të kemi një motor të ri, çka do të thotë një motor të fuqishëm. Kjo na jep mundësi që të rritemi edhe më shumë”.
Një pilot ka të drejtë të përdorë 3 motorë gjatë një sezoni, prakitikisht një motor në çdo 7 gara (21 gara në total). Gara e Kanadasë është e shtata sezonale dhe zakonisht skuadrat aty përdorin gjithnjë motor të ri (Ferrari e aplikoi këtë motor të dytë që në Baku).
“Do të bëjmë analizat e duhura, do të përpiqemi të kuptojmë më mirat gomat dhe të gjithë së bashku do të përpiqemi të marrim më të mirën nga kjo makinë. Besoj se edhe me këtë motor do të jemi më të shpejtë se rivalët”, tha Hamilton.