Një 56-vjecar ka rënë në prangat e policisë ditën e sotme në Fier, pasi iu gjetën armë pa leje në shtëpi.
Sipas policisë, kanë qenë qytetarët ata që kanë dhënë informacionin se 56-vjeçari me inicialet T.G mbante armë në shtëpi, ndërsa pas kontrollit policia gjeti 1 armë zjarri automatike me 2 krëhëra, 1 pistoletë me 1 krëhër dhe 148 fishekë.
Njoftimi i plotë i policisë:
Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje, falë bashkëpunimit të policisë me qytetarët.
Sekuestrohen 2 armë zjarri dhe 148 fishekë.
Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.
Në kuadër të bashkëpunimit me qytetarët për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë si dhe në vijim të punës hetimore nga Specialistët e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier është goditur një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bazë të informacioneve të marra nga qytetarët se një shtetas dispononte armë zjarri në banesë, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit T.G, 56 vjeç, banues në Patos.
Si rezultat i kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatike me 2 krëhëra, 1 pistoletë me 1 krëhër dhe 148 fishekë.
Në përfundim të veprimeve të kryera, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit T.G për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Materialet proceduriale për veprime të mëtejshme do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.
g.kosovari