Në pritje të zyrtarizimit të trajnerit të ri, i cili pritet të jetë njëri mes Guardiolës dhe Sarrit, “Juventus” vijon të jetë aktive dhe në merkato për të qenë sa më konkuruese dhe sërish pretendente kryesore për titullin kampionë në Itali dhe Europë.
Në këtë drejtim, bardhezinjtë janë në kërkim të një mesfushori. Emri i parë i cituar nga mediat italiane është ai i serbit Milnikoviç-Saviç, me të cilin sipas “Sportmediaset” është arritur një marrëveshje, por ka divergjenca mes kërkesës së “Lazios” për të pranuar transferimin e futbollistit dhe “Juventusit”, që ka ofruar deri më tani për shtatlartin Serb 60 milionë euro, ndërsa skuadra kryeqytetase kërkon 90 milionë euro.
Kjo është arsyeja që “Juventusi”, në pritje që “Lazio” të ul pretendimet, të nis “sulmin” për të pasur Paul Pogba. Francezi kampion bote luan për “Manchester United”. Edhe në këtë rast problem mbete shifra, pasi “djajtë e kuq” anglezë kërkojnë mbi 100 milionë euro për kartonin e futbollistit. Por, në rastin e dytë “Juventus” ka në dorë një mundësi të artë për të bërë një shkëmbim mes Paul Pogba dhe Paulo Dybala, ky i fundit nuk duket më në planet e “Zonjës së Vjetër” dhe pëlqehet nga britanikët.
Drejtori Sportivë i bardhezinjëve, Fabio Paratiçi ka nisur negociatat e para për të kuptuar hapësirën e realizimit të një marrëveshje të tillë, ndërsa pritet tashmë dhe të kuptohet disponueshmëria i futbollistit, që sipas “Sportmediaset” është dhe ekziston prej kohësh, pasi Pogba e njeh mirë ambientin torinez, duke qenë se ka luajtur tre sezone te “Juventus” dhe pikërisht kujtimet e mira nga ajo periudhë ndikojnë të zgjedhja e kampionit të botës për të ardhmen e karrierës së tij. /a.r