Rreth 100 persona janë zhveshur lakuriq përpara selisë së Facebook në New York, ditën e diel në formën e një proteste. Demonstruesit u ngritën në protestë kundër asaj që ata e cilësojnë si censurë, në lidhje me politikat e Facebook-ut dhe Instagram-it rreth lakuriqësisë artistike.
Këta njerëz qëndronin të shtrirë lakuriq në rrugë, secili prej tyre me imazhe të mëdha të thithkave të meshkujve me të cilat mbulonin organet e tyre gjenitale.
Protesta e quajtur “#wethenipple”, u organizua dhe u fotografua nga artisti amerikan i njohur ndërkombëtarisht Spencer Tunick dhe Koalicioni Kombëtar kundër Censurës (NCAC).
Në demonstratë morën pjesë edhe anëtarë të një grupi të së drejtave për gratë. Grupi tha në një deklaratë se ishte “duke sfiduar censurën e lakuriqësisë artistike femërore nga standardet e komunitetit të Facebook dhe Instagram”.
Sipas udhëzimeve për komunitetin e Instagram, imazhet nudo janë të ndaluara nga rrjeti:
“Ne e dimë që ka herë kur njerëzit duan të shpërndajnë imazhe lakuriqësie të cilat janë artistike ose kreative, por për një numër shumë të madh arsyesh, ne nuk e lejojmë nudizmin në Instagram”.
Facebook thotë që e ndalon “paraqitjen e nudizmit ose aktiviteteve seksuale sepse disa njerëz në komunitetin tonë mund të jenë të ndjeshëm ndaj kësaj lloj përmbajtjeje”.(Tirana Today)/l.m