Dorëzohet në Gjykatën për Krime të Rënda pjesa e parë e dosjes 339, ku janë përcaktuar 12 të pandehur nga Prokuroria.
Shorti ka përcaktuar gjyqtarin Fran Prendi për seancën paraprake, e cila do të përcaktojë nëse kjo dosje do të kalojë për gjykim ose je.
Të pandehur në këtë dosje janë: Ramadan Dushaj, Rezart Çaçani, Fatbardh Gostini, Neritan Saraçi, Ardit Haxhagiqi, Gentjan Marku, Oltion Noka, Fation Marku, Samuel Ndoka, Vilson Ndoka, Elis Guri, Luan Boça. Ndërkohë, në hetim vijon të jetë nga Prokuroria dosja 339/1, e cila heton shit-blerjen e votave.
Kujtojmë se hetimet për këtë dosje kanë nisur që në vitin 2016, ndërsa në vjeshtën e vitit që lamë pas u finalizuan me operacionin “Vol-Vo 4”, ku u arrestuan 27 personat dhe u prenë 44 fletëarreste. Nga përgjimet e kryera për këtë dosje, u zbulua implikimi i punonjësve të Policisë dhe zyrtarëve të tjerë në vepra penale, për të cilat një pjesë janë duke u hetuar ende nga Prokuroria për Krime të Rënda.
Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se hetimet për këtë dosje janë duke vazhduar për vepra të tjera penale që janë zbuluar, duke përfshirë edhe atë të shitblerjes së votës. Ndërkohë, brenda pak javësh, Gjykata për Krime të Rënda duhet të vlerësojë kërkesën për gjykim dhe të vendosë nëse do të marrë apo jo të pandehur personat që Prokuroria pretendon se kanë kryer veprat penale, për të cilat janë akuzuar.
Gjatë periudhës së hetimit, një pjesë të arrestuarve në operacionin “Vol-vo 4” janë lënë të lirë, duke iu zbutur masa e sigurisë, përfshi edhe dy ish-deputetët e Partisë Socialiste. Ndërkohë, nuk bëhet e ditur nëse hetimet janë mbyllur edhe për personat e arrestuar për tjetërsim të pronave.
Nga hetimet që kanë nisur prej vitit 2016 për dokumentimin e veprimtarive kriminale, janë përdorur metoda speciale të hetimit. Në këtë procedim penal janë me mijëra orë përgjime, filmime, përgjime ambientale, vëzhgime me dron, mijëra faqe me shkresa dhe këmbim informacioni e korrespodencë me agjenci ligjzbatuese brenda e jashtë vendit.
Referuar hetimeve, rezulton se personat e arrestuar kanë konsumuar 3 vepra penale, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale, si dhe pastrim i produkteve të veprës penale. Zyrtarisht bëhet e ditur se gjatë periudhës që kanë qenë në hetim, të prangosurit kanë arritur të dokumentohen 13 raste të trafikimit të lëndëve narkotike, nga kanabis sativa deri te drogat e forta.
Një pjesë e tyre janë sekuestruar në Itali dhe vende të tjera, ndërsa burime thonë se ishin përgatitur edhe disa raste të tjera nga grupet kriminale. Ndërkohë, për të krijuar lehtësira në veprimtarinë e tyre, ky grup kishte arritur të ushtronte ndikimin e tij edhe në funksionarë të Policisë. Sipas Prokurorisë, Avdylajt në bashkëpunim me të shpallurin në kërkim A.Hoxha, i cili dyshohet si personi që ka krijuar laboratorin në Has, shtetasit turq dhe anëtarë të disa grupeve të tjera, do të transportonin jashtë vendit drogën e prodhuar.
Policia thotë se hetimi për këtë operacion ka nisur pas referimit të Policisë së Shtetit, por më pas është marrë ndihmë dhe informacion edhe nga agjencitë e huaja ligjzbatuese, kryesisht Gjermania./l.m