Një mik i palëkundur i Shqipërisë dhe mbështetës i procesit integrues euro-atlantik. Kështu e ka cilësuar kryeministri Edi Rama shefin e NATO-s, i cili viziton sot Tiranën.
Në një konferencë të përbashkët me Jens Stoltenberg, Rama tha se humbja e dy ushtarakëve në Letoni ishte një humbje e madhe për vendin tonë, por që solli edhe një moment reflektimi për kontributin në NATO.
“Miku ynë Jens Stoltenberg shprehu gjithashtu interesin për situatën politike në vend. I kërkova ndjesë për motin, por duke ardhur në një shtëpi me re dhe me shi është ndjerë si në shtëpinë e tij, në Norvegji” – e mbylli kryeministri fjalën e tij.
Ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u shpreh se e çmon takimin në këtë moment kur Shqipëria ka 10-vjetorin e anëtarësimit.
“Shqipëria ka një kontribut të vyer dhe dua të shpreh mirënjohjen për dy ushtarakët trima që humbën jetën në një aksident tragjik në Letoni. Ju lutem pranoni ngushëllimet e mia që shkojnë për familjet e tyre dhe popullin tuaj” – tha Stoltenberg.
Ai shtoi se Shqipëria ka kontribuar në stabilitetin e disa vendeve ku shërben me misionet e saj.
Shefi i NATO-s pati edhe një mesazh për opozitën joparlamentare.
“Dhuna politike bie ndesh me vlerat tona demokratike. Është e papranueshme ndaj u bëj thirrje të tregojnë vetëpërmbajtje dhe konsensus politik. U bëj thirrje të mos i minojnë institucionet e ligjshme” – tha Jens Stoltenberg gjatë konferencës.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama shtoi se ajo që po ndodh nga opozita në vendin tonë, nuk ka ndodhur në asnjë vend anëtar të NATO-s.
“NATO nuk është vetëm një aleancë ushtarake, por një aleancë shtetesh që ndajnë vlera dhe parime që nuk negociohen. Patjetër që dhuna nuk shkon në favor të vendit dhe nuk përputhet me interesat as të NATO-s dhe as të Bashkimit Evropian. Me ose pa dashje, kjo çon ujë në mullirin e atyre që nuk e dëshirojnë integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor” – tha Rama.
Ndërkohë, kryeministri pati edhe një koment për zgjedhjet e 30 Qershorit.
I sigurt për zhvillimin normal të votimeve, Rama tha:
“Ne do të zhvillojmë zgjedhjet si proces i patjetërsueshëm demokratik. Nëse një parti e opozitës pengohet, kjo nuk është demokratike. Por nëse nuk duan të hyjnë me dëshirë, kjo nuk i bën zgjedhjet jodemokratike”.
/JavaNews/a.rada
ama