Nga Alfred Peza
Pas një muaji, asgjë nuk do jetë më si më parë, në skenën politike shqiptare.
Në këto 30 ditë të kësaj fushate elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, luhet loja e madhe e politikës shqiptare të 30 viteve të shkuara dhe ajo e 30 viteve të ardhshme.
Janë 30 ditët ku për herë të parë në historinë e pluralizmit, jo vetëm atë shqiptar, por të të gjithë botës demokratike e të qytetaruar, opozita kryesore e vendit ka vendosur jo vetëm që të djegë mandatet parlamentare, por edhe të dalë nga sistemi politik i vendit, duke mos pranuar që të futet në zgjedhjet e përgjithshme lokale.
Mazhoranca e përbërë nga një parti e vetme, ajo socialiste, kishte dy mundësi:
1.- Ti nënshtrohej presionit, duke bërë një marrëveshje për ti dorëzuar opozitës në tavolinë, pushtetin e besuar me votë nga qytetarët shqiptarë, në zgjedhjet e 2017. Kauza e tyre, u përcaktua nga Berisha: “Ose ikën Edi Rama, ose shkrihet opozita!”
2.- Të shtrinte dorën e dialogut pa kushte, e gatshme për të diskutuar gjithçka ligjore në tyrezë. Dhe paralel, të vijonte përgatitjet për zgjedhje, sipas përcaktimit të Kushtetutës dhe në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës!
Vetëm pak orë përpara fillimit zyrtar të fushatës për zgjedhjet e 30 Qershorit, Komisioni Europian publikoi progres- raportin, ku rekomandohej çelja tani dhe pa kushte e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Faktori kyç i këtij suksesi, u përcaktua reforma në drejtësi e cila është edhe më e anatemuara nga opozita jonë jashtparlamentare.
Kjo qasje ndaj reformës në drejtësi, çertifikon pas kësaj përfundimisht, edhe frikën e saj reale. Jo më kot, një nga pikat kryesore të programit që opozita ka caktuar për qeverinë e re, është zhbërja e reformës në drejtësi!
Në fjalën e tij në mitingun e çeljes së fushatës elektorale të PS në Tiranë, Edi Rama shpjegoi të gjitha arësyet se përse kjo forcë politike, është e vendosur për të ecë përpara drejt 30 Qershorit. Sikundër edhe lidershipi i opozitës jashtparlamentare, është deklaruar po aq i vendosur gjithashtu jo vetëm për të mos hyrë, por edhe për të mos e lejuar zhvillimin e këtij procesi.
Në 30 Qershor do të jenë përballë njera tjetrës si kurrë më parë, në një proces elektoral, bashkësia e partive që e kanë nisur tashmë fushatën zgjedhore. E nga ana tjetër, një grup partish jashtë sistemit politik të vendit, që do vijojë me protesta në rrugë.
Kjo përplasje e grupit të partive brenda sistemit dhe atij jashtë sistemit politik të vendit, nuk është më një problem por një çështje demokracie, e shtruar për zgjidhje në Shqipëri. Kuptohet që peshën krysore në këtë përplasje nga njëra anë e mban PS dhe nga ana tjetër, PD e LSI.
Nga kjo përplasje nuk do të ketë dy fitues. Nga kjo përplasje nuk do të ketë as dy humbës. Nga kjo përplasje do të ketë vetëm një fitues dhe vetëm një humbës. E sigurtë është që fituesen nuk do ta përcaktojnë partitë politike, as liderët e tyre. E aq më pak, militantët e të dyja palëve.
Fituesin do ta përcaktojnë qytetarët shqiptarë me votën e tyre. Me sjelljen e tyre. Me qytetarinë e tyre. Me vendosmërinë e shumicës së heshtur e të qytetëruar të këtij vendi, që duan ti japin fund riciklimit permanent të krizave poltike, si në këto 30 vite që po lemë pas.
Ndaj 30 Qershori është dita ku do të ndeshen:
Sistemi, me antisistemin.
Ligji, me antiligjin.
Demokracia e institucioneve, me politikën e rrugës.
E mira, me të keqen.
E shkuara, me të ardhmen.
Pas 30 Qershorit, asgjë nuk do të jetë më si më parë, në skenën politike të Shqipërisë.
Pas 30 Qershorit, hapet një faqe e re në historinë e demokracisë dhe politikës shqiptare. Eshtë fillimi i një ere të re, që do të na çlirojë nga pengmarrja 30 vjeçare e demokracisë. Eshtë fillimi i një epoke të re, që do të presë “Nyjen Gordiane” të një tranzicioni cfilitës që riciklon veç tensione, kriza e dhunë.
Eshtë nisja e një rruge të re për Shqipërinë Europiane. Eshtë rruga jonë e 30 viteve të ardhshme!