Ligjvënësit demokratë thonë se refuzimi i administratës Trump për të ofruar informacion shtesë dhe dëshmi rreth raportit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller i ka futur Shtetet e Bashkuara në një krizë kushtetuese. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson, polemikat rreth nivelit të mbikqyrjes që Kongresi duhet të ushtrojë nga Shtëpisë së Bardhë, ka ndezur edhe debatin për balancën e pushtetit brenda sistemit amerikan të qeverisjes.
Kongresi është kundërpesha e Shtëpisë së Bardhë dhe kjo sjell shpesh përplasje mes palëve.
“Administrata vendosi të mos përmbushë betimin e bërë me marrjen e detyrës”, tha Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.
Ligjvënësit demokratë thonë se përplasja rreth mbikqyrjes nga Kongresi është zhvendosur tashmë në një territor shumë më serioz.
“Tashmë gjendemi në një krizë kushtetuese”, deklaroi Jerrold Nadler, Kryetar i Komisionit për Gjyqësorin.
Por, Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara është e vakët për sa i përket balancës së pushtetit mes këtyre dy degëve të qeverisjes, duke i lënë votuesit me pikëpyetje…
“Sigurisht që ekziston një lloj krize. Nuk di të them nëse kualifikohet për t’u quajtur krizë kushtetuese”, thotë Polly Handy, votuese.
Presidenti Trump i ka testuar edhe më parë limitet e fuqisë presidenciale, duke shpallur emergjencën kombëtare pasi Kongresi refuzoi fondet për ngritjen e një muri përgjatë kufirit me Meksikën.
Por, në një mesazh në Twitter, Presidenti u shpreh se problemi janë demokratët. Kjo pikëpamje mbështetet nga partia e tij.
“E vetmja krizë që kemi është maxhoranca e këtij Kongresi”, tha Kevin McCarthy, udhëheqës i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në një anketim të fundit nga Universiteti Quinnipiac, 66% e votuesve u shprehën se demokratët nuk duhet të fillojnë procesin e ngritjes së akuzave me qëllim shkarkimin e Presidentit.
“Mendoj se është shumë zhurmë për asgjë. Mendoj se kushdo që është në pushtet ankohet për palën tjetër. Fillimisht ishte njëra palë, tani e ka radhën tjetra”, thotë David Bates, votues.
Sistemi i qeverisjes i themeluar nga Kushtetuta është sfiduar edhe më parë, si p.sh. kur Richard Nixon vendosi të dorëhiqet për të shmangur një proces hetimor për shkelje të rënda. Po kështu, përplasjet mes shteteve që mbanin skllevër dhe atyre pa skllavërinë shkaktoi fillimin e Luftës Civile.
Në rastin e ngritjes së akuzave për administratën Trump, studiuesit thonë se Kongresi ka autoritet të gjerë.
“Kongresi nuk mundet të shkelë Kushtetutën duke i detyruar njerëzit të dëshmojnë, pasi ata i mbron amendamenti i 5-të i Kushtetutës. Por për sa i përket materialeve, ligjvënësit kanë fuqi të mëdha. Presidenti mund të vendosë të ushtrojë privilegjin e ekzekutivit për të mos dorëzuar materiale; diçka që e parashikova pesë muaj më parë kur kontrollin e Kongresit e mori pala demokrate. Presidentët mund të ushtrojnë privilegjin e ekzekutivit, por Gjykata Kushtetuese është shprehur se duhet të jetë shumë i kufizuar”, thotë Victoria Nurse, e Universitetit Georgetown.
Gjyqësori, dega e tretë e qeverisjes amerikane, mund të ofrojë më shumë qartësi.
“Krizë e vërtetë kushtetuese do të ishte nëse një gjykatës federal urdhëron Presidentin dhe njerëzit e tij që të dorëzojnë materialet e plota dhe nëse Presidenti do të urdhëronte stafin të mos i dorëzonin”, thotë Alan Morrison, i Shkollës Juridike “George Washington”.
Një refuzim që mund të ndryshonte edhe perceptimin e votuesve…
“Kjo po e përçan shumë vendin. Nëse do të kishte transparencë për gjithçka që bëhet fjalë, atëherë ndoshta do ta linim këtë situatë prapa”, thotë votuesja Polly Handy.
Votuesit thonë se dëshirojnë thjesht të shohin një sistem qeverisës që funksionon.(VOA)