Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar për situatën politike në vend, duke bërë thirrje që palët të ulen në tryezë dialogu.
KMSH shprehet se palët duhet të dialogojnë për të mirën e kombit shqiptar.
Deklarata e KMSH mbi situatën politike në vend:
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë po ndjek me shqetësim gjendjen e tensionuar në vend gjatë ditëve të fundit. Shqipëria është shtet laik dhe ne e respektojmë me rigorozitet këtë nocion, por kjo nuk na le pa përgjegjësi për gjendjen e popullit shqiptar, qofshin besimtarët tanë, të besimeve të ndryshme apo pa besim.
Ne, në këtë Muaj të Shenjtë, më shumë se në çdo muaj tjetër duhet të lutemi për paqe. Ky muaj është muaji i mëshirës, tolerancës dhe reflektimit. I bëjmë thirrje të barabartë forcave të përfshira në këtë situatë tënsioni jo të këndshme për vendin tonë, të ulin gjakrat, të ndalin gjuhën e ashpër në diskurin e tyre publik, dhe për të mirën e kombit, mbështetësve të tyre, të ulen të dialogojnë.
Politika të marrë shembull nga harmonia dhe dialogu i feve në Shqipëri, të jenë më shumë bashkëpunues me njëri-tjetrin. Ashtu siç politika krenohet me harmoninë fetare nëpër botë, le të tregojë se di të jetë edhe vetë shembull e përçuese e këtyre vlerave demokratike. Të ulen të gjejnë zgjidhje në dobi të popullit shqiptar.
Ne i bëjmë thirrje popullit shqiptar, në veçanti besimtarëve tanë, në cilën do bindje qofshi, rrini larg dhunës dhe konfliktualitetit. Jini shembull për të tjerët në situata të tilla, kini parasysh porositë e fesë tonë dhe të profetit tonë. Ruani qetësinë, reflektoni, shpërndani paqe midis jush, shpërndani paqe edhe ndaj atyre që kanë mendime të ndryshme nga ju.
I lutemi Zoti në përfundim të ketij Muaji të Shenjtë të na falë, të na mëshirojë, të na ruajë nga trazirat, të na ruajë nga konfliktet.