Situata e paprecedentë politike e krijuar nga djegia mandateve të opozitës, pra një dalje jashtë sistemi me objektiv rifiutjen pasi të ketë rrëzuar qeverinë, ka vënë në provë dhe aftësinë gazetareske në intepretim, apo në kërkim të një logjike te qashtërt mbi fajësinë e krizës dhe llojin e daljes prej saj. Ka aq shumë paradokse, sa në efekt zinxhir sjell dhe paradokse në qasje.
Njëra prej tyre u vu re të enjten mbrëma në “Open”, ku gazetarja dhe moderatorja Eni Vasili, i kujtoi Ramës një deklaratë të tij në vitin 2006, kur paska thënë se “Kushtetuta mund të ndryshohet pasi nuk është një letër e vdekur”.
Ajo tha se mund ta transmetonte dhe si material arkivor deklaratën në fjalë, por ndërhyrja e kryeministrit e bëri të pavlefshëm këtë ballaqim.
Nuk u sqarua nga ana e Vasilit se për ç’rast e ka lëshuar Rama atë deklaratë, por mjafton vetëm aspekti literal i saj për të kuptuar se gjetja gazetareske është tërësisht e gabuar. Mjafton diferenca mes termave “ndryshim” dhe “shkelje”.
Rama nuk ka thënë që “Kushtetuta edhe mund të shkelet”, por që dhe “mund të ndryshohet”, siç ndodhi saktësisht në prill të 2008-ës, pas një marrëveshjeje mes dy palëve. Dhe kjo është mëse normale në demokracitë në zhvillim.
Pra, Kushtetuta, me marrëveshje mes partive, pëson ndryshime në bazë të zhvillimeve specifike për t’ju përgjigjur realiteteve të reja që mund të lindin. Të fundit ndryshime janë ato 2015-ës, për shkak të Reformës në Drejtësi, miratuar unanimisht nga dy palët.
Ndërsa në rastin aktual, atë që ka të bëjë me datën e zgjedhjeve, nuk kërkohet ndryshim por shkelje. Eshtë një përplasje mes qasjes politike të opozitës me atë konstitucionale të mazhorancës.
Por në fakt, opozita nuk e ka artikuluar deri më sot kërkesën për shtyrje zgjedhjesh. Ajo thjesht deklaron politikisht se ato nuk do të zhvillohen.
Dhe ndodh që një pjesë e gazetarisë, e cila nuk del tej qasjeve të kufizuara profesionale me shumë profanizëm brenda, e përkthen këtë si kërkesë për shtyrje zgjedhjesh, duke e quajtur mëse normale në funksion të zgjidhjes së krizës.
Por kur vjen puna te krijimi i precedentit të shkeljes kushtetuese për rastin në fjalë, aty nuk gjen asnjë argument mbrojtës, e ndodh më pas të kalohet në foklklorizëm politik.
Ndodh kjo deri me individë katedrash, leksiondhënës të shkencave politike me një barrë shkollë, por që pozicionimi politik i nxjerr krejt profanë në të kuptuarit e funksionimit të shtetit.
Për të qenë të qartë dhe njëherë: Rama nuk refuzon ndonjë ndryshim kushtetues të kërkuar nga opozita, ai thjesht mbron tezën legjitime të mosshkeljes kushtetuese në rastin e një shtyerje të datës së zgjedhjeve.
Në rastin e krizës së “çadrës” dy vjet më parë, shtyrja që iu bë datës së zgjedhjeve ishte brenda afateve kushtetuese, pra pa u cenuar aspak Kushtetuta.
Edhe për rastin e vitit 2007 kur pati shtyrje të zgjedhjeve lokale, Rama mbrojti versionin se as në atë rast nuk u shkel Kushtetuta.
Ndërsa kësaj here, me 30 qershorin si datë zgjedhjesh caktuar me dekret presidencial, është mbyllur kushtetueshmërisht çdo hapësirë shtyerje.
Mirëpo precedenti, sidomos kur është juridik dhe konstitucional, ka forcë rregulluese ose shkatërruese në aspekt të funksionimit të shtetit dhe rregullave të lojës.
Kjo është A-ja e çdo shkolle politike. Çdo precedent me shkelje konstitucionale, është më pas një hapje dere për anarki…(Tesheshi)