Trajneri i Tottenhamit i kishte përjetuar nga afër sjelljet e çuditshme të Diego Maradonës në fillim të karrierës së tij, kur ishte në Newell’s Old Boys.
Të shtunën, Mauricio Pochettino do ta plotësojnë ëndrrën e shumë trajnerëve – ta drejtojë skuadrën e tij në finale të Ligës së Kampionëve.
Trajneri i Tottenhamit ka bërë një rrugë të gjitha nga kur i bëri hapat e tij të parë në futboll, në Argjentinë. Në mes të shumë përvojave në vendlindje, ai e ka edhe një përvojë të paharrueshme me Diego Maradonën, me të cilin kishte jetuar në një dhomë për një kohë.
Pochettino u rrit në fshatin e vogël Santa Fe në Murphy, ku jetojnë vetëm rreth katër mijë persona.
“Ishte një qytet shumë i vogël dhe unë vetëm shkoja në shkollë dhe pastaj luaja futboll gjatë gjithë ditës me shoqërinë time. Ne nuk kishim as televizor në shtëpi”, trajneri kishte treguar për BBC-në në një intervistë në vitin 2013.
Me kalimin e kohës, familja e Pochettinos i kishte grumbulluar paratë për ta blerë një televizor me ngjyra bardhezi, të cilët babai i tij, Hector, e shtinë në funksion përmes baterisë së traktorit të familjes.
Përderisa si fëmijë, Pochettino ishte tifoz i Racing, ishte Newell’s Old Boys klubi me të cilin ai e filloi karrierën e tij në botën e futbollit.
Në moshën 14-vjeçare, ai u zbulua nga ndihmësi legjendar i Marcelo Bielsas, Jorge Griffas, i cili ishte përgjegjës edhe për talentet si Gabriel Bastutan, Jorge Valdanon, Maxi Rodriguezin dhe Gabriel Heinzen. Pochettino u shpërngul në Rosario, ku punoi nën “El Loco” në ekipin e të rinjve, shkruan Express.
Bielsa ishte njeriu që e dha aprovimin përfundimtar për ta transferuar Pochettinon. Ai udhëtoi deri në Murphy për t’i bindur prindërit e Pochettinos ta lejojnë djaloshin t’i bashkohet Newell’s Old Boys, si dhe e analizoi më në detaje talentin e tij të ri.
“Një natë, në orën 1 të mëngjesit, ai erdhi në shtëpinë time, trokiti në dorë dhe dëshironte ta takonte një djalosh 13-vjeçar”, kishte kujtuar Pochettino për ESPN.
“Ai dëshironte t’i shihte këmbët e mia! Në atë orë të mëngjesin, ai do të duhet të ketë qenë i çmendur… ai u detyrua t’i bënte prindërit e mi të ëndërrojnë”.
“Pastaj më tha: ‘Këto këmbë duket se janë këmbë të një lojtari të mirë’. Ajo ishte një gënjeshtër e mirë, pa synim të keq. Për mua, ai është një person që gjithmonë do ta adhuroj. Njerëzit e quajnë atë ‘El Loco Bielsa’, por, për mua, ai nuk është aspak i çmendur”.
“Për mua, ai është një gjeni. Një person me karizma dhe personalitet shumë të ndryshëm nga ne trajnerët e rregullt. Kjo e bën atë më të veçantë”.
Kur Bielsa u bë trajner i ekipit të parë në vitin 1990, Pochettino veçse kishte luajtur për dy vjet si futbollist profesionist. Me El Locon si trajner dhe Pochettinon në mbrojtje, Newell’s Old Boys e shijoi njërën ndër periudhat më të suksesshme në histori të klubit, me dy tituj të ligës dhe në vitin 1992 arritën në finale të Copa Libertadores, të cilën e humbën në penallti.
Ajo kampanjë në Libertadores përfundoi me një katastrofë, pasi që Newell’s humbi me rezultat 6:0 kundër San Lorenzos në shtëpi. Të zemëruar, tifozët e klubit shkuan para shtëpisë së familjes së Bielsas për të protestuar, por u pritën para portës nga trajneri me një granatë në dorë.
“Nëse nuk largoheni tani, do ta tërheq këmbëzën dhe do ta gjuaj te ju”, i paralajmëroi ai, para se t’i ndiqte nga pas ata tifozë nëpër rrugë, me grandë në dorë.
Bielsa vendosi ta lë Newell’s për Meksikën pas disfatës në finalen e Copa Libertadores, por Pochettino vazhdoi me skuadrën. Një vit më vonë, ardhja e Diego Maradonas e tronditi botën e Newell’s.
Legjenda argjentinase e futbollit, i cili vinte pas një periudhe huazimi në Sevilla, vendosi t’i bashkohej klubit nga Rosario për ta vazhduar karrierën e tij, pasi ishte detyruar të largohet nga Napoli për shkak të një pezullimi të gjatë për konsumimin e kokainës.
Mbi 40 mijë tifozë shkuan ta shikojnë seancën stërvitore të parë të Maradonës me Newell’s. Dhe Pochettino ishte i zgjedhuri për të jetuar në të njëjtën dhomë me Maradonën, kur Newell’s udhëtonte në ndonjë qytet tjetër për ndeshje.
“Ishte e mrekullueshme sepse unë gjithmonë e mbaja fotografinë e tij në murin e dhomës sime të gjumit. Dhe pastaj isha me të, ishte e mrekullueshme. E mbaj mend natën e parë. I shkyça dritat dhe u shtriva aty për të fjetur. Nuk mund ta besoja, mendoja se po ëndërroja, se nuk ishte e vërtetë”, është shprehur Pochettino.
Periudha e Maradonas me Newell’s rezultoi mjaft problematike, e theksuar nga lëndimet, përleshjes me trajnerët dhe pak minuta në fushë. Ai i luajti vetëm pesë ndeshje për klubin dhe nuk shënoi asnjëherë. Diego megjithatë qëndroi deri në fillim të vitit 1994, dhe mori pjesë në turneun parasezonal në Mar del Plata.
Pochettino ka kujtuar se sjelljet e Maradonas nuk kishin qenë të parashikueshme as në këtë turne.
“Ne ishim të gjithë bashkë në turneun parasezonal në Mar del Plata dhe uën isha në një dhomë me të. Atë natë, për shkak se ai e do shumë basketbollin, ai kishte shkuar për ta shikuar finalen e ligës. Në mëngjes, kur u zgjova, ai nuk ishte në shtrat”, ka thënë Pochettino.
“Pas mëngjesit, ne shkuam në stërvitje dhe pastaj ne u kthyem për drekë. Ende askush nuk e dinte se ku ishte Diego, Kur po hanim drekë, i shikuam lajmet në televizor: Ai ishte duke i gjuajtur me armë gazetarët në Buenos Aires, 400 kilometra larg vendndodhjes tonë”.
Maradona kishte udhëtuar nga bregu atlantik i Argjentinës në Moreno të Buenos Airesit. Kur ai u zgjua dhe i pa shumë gazetarë te porta e tij, Diego filloi të gjuaj me armë mbi ta, duke i lënë të lënduar gjashtë gazetarë. Ai u dënua me dy vjet burg, të cilin nuk e vuajti për shkak se arriti marrëveshje për dëmshpërblim financiar.
g.kosovari