Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka pritur sot ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, ndërsa në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Ambasadori i Bashkimit Europian i ka dorëzuar kryeparlamentarit Ruçi raportin e Komisionit Europian për vitin 2019, me rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave më Shqipërinë. Në fjalën e tij, Soreca tha se Reforma në Drejtësi dhe proceset e saj kanë qenë një ndër shtyllat kryesore që kanë çuar deri në një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave pa kushte për vendin tonë.
“Kam kënaqësinë që t’ju dorëzoj raportin, duke rikonfirmuar rekomandimin pozitiv për Këshillin Evropian që të çelen negociatat tani dhe pa kushtëzime apo pa kushte. Vendi ka bërë ecuri domethënëse dhe ne besojmë se në këtë raport njihen e vlerësohen të gjitha këto arritje. Reforma në drejtësi dhe rezultatet e saj janë arsyeja kryesore e rekomandimit pozitiv dhe pa kushte për Shqipërinë”-tha Soreca.
Ndërsa, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, duke marrë në dorëzim raportin e progresit, falënderoi ambasadorin Soreca që erdhi në Kuvendin e Shqipërisë.
“Rekomandimi që bën Komisioni Evropian është i mirëpritur nga të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga bindjet politike që ata kanë, pasi është një gjë shumë pozitive që në Shqipëri nuk ka euro-skeptikë. Në këtë rast, sigurisht që ky raport vjen menjëherë pasi kanë përfunduar zgjedhjet në Parlamentin Evropian, rezultati i të cilit është shumë i mirëpritur nga ne, pasi fituan forcat progresiste pro-evropiane. Urojmë dhe shpresojmë shumë që kësaj radhe Këshilli Evropian të marr një vendimmarrje. ashtu siç e ka rekomanduar Komisioni Evropian”.
Kryetari i Kuvendit Ruçi nënvizoi se reformat integruese janë ndërmarrë nga Kuvendi dhe qeveria e Shqipërisë, jo thjesht se janë rekomanduar nga Komisioni e Këshilli Evropian, por sepse u shërbejnë qytetarëve. Reforma në sistemin e drejtësisë është kryereforma jonë. Ai u shpreh se paketa ligjore e reformës ka përfunduar, se ngritja dhe plotësimi i organeve të reja të qeverisjes së sistemit është drejt përfundimit dhe pritet te realizohet brenda këtij sesioni parlamentar.
Ruçi u shpreh se ky proces është i pakthyeshëm dhe nuk mund të pengohet nga asnjë forcë apo rrethanë. “Vetingu vazhdon normalisht dhe Kuvendi e Qeveria kanë krijuar të gjitha kushtet që ky proces të jetë i painfluencueshëm nga asnjë faktor politik. Lufta kundër Korrupsionit është një prioritet i Parlamentit dhe Qeverisë. Beteja kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve vazhdon. Kuvendi dhe Qeveria po përpiqen të kompensojnë kohën e humbur për realizimin e reformës zgjedhore”,- u shpreh në takim Ruçi.
Në përfundim të takimit, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, nënvizoi se Kuvendi i Shqipërisë do ta shqyrtojë këtë raport në të gjitha hollësitë dhe do të marrë të gjitha masat që reformat integruese në Shqipëri të vazhdojnë pa u ndalur.
/a.rada