Kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët me ambasadorin e BE në Tiranë Luigi Soreca, u pyet në lidhje me deklaratën e presidentit Meta për shtyrje të mundshme të zgjedhjeve.
Rama u shpreh se e vlerëson gatishmërinë e presidentit, por shtoi se Shqipëria institucionale do të fitojë mbi çdo axhendë partiake.
“Qeveria e Shqipërisë nuk ka asnjë pëlqim në lidhje me asnjë diskutim për shtyrje të datës së zgjedhjeve. Kjo nuk ka lidhje me figurën e presidentit dhe as me vendimet e tij, por më 30 qershor duhet të fitojë Shqipëria institucionale.
Shqipëria institucionale nuk mund të merret peng e nuk mund t’i nënshtrohet agjendave partiake të çdokujt. Nuk ka asnjë shtyrje të datës së zgjedhjeve.
Në raport me presidentin Meta, unë e vlerësoj gatishmërinë e tij, por ajo që është e sigurt është se Partia Socialiste më 1 qershor do të nisë fushatën në një betejë që nuk është thjesht se kush zgjidhet kryetar bashkie, por si do jetë Shqipëria e gjeneratës tjetër.
Më lejoni t’ju përsëris së Partia Socialiste nuk ka asnjë pëlqim në lidhje me shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Ne nuk kemi datë për të negociuar dhe as Kushtetutë për të anashkaluar” – tha Rama.
/a.rada