Nesër përfundimisht komisioni për çështje të mandateve dhe imunitetit do të mblidhet për të vendosur nëse janë përmbushur kushtet për marjen e mandatit të deputetit Nikolla Gruevski. Nga partia e tij amë, VMRO-DPMNE ende nuk kanë një vendim të prerë se si do të veprojnë nesër në mbledhjen e këtij komisioni ku për deputetët e tjerë si edhe për imunitetin e Gruvskit ishin shprehur në vazhdimësi kundër.
“Do të duhet të prisni të meret vendim përfundimtar partiak për atë se si do të sillet grupi parlamentar I VMRO-DPMNE-së nesër në komisionin për mandate dhe imunitet. Deri atëherë mund vetëm të them se janë të njohura arsyet e mungesës së Nikolla Gruevskit në Kuvend”.-tha Naum Stoilkovski, i partisë VMRO-DPMNE
Anëtarët e komisionit nuk do të kenë kohë të gjatë për të diskutuar, pasi nesër ose më së voni pasnesër skadon afati deri kur komisioni duhet të del me propozim konkret të cilin do t’ia përcjellë për votim Kuvendit në seancë plenare.
“Rregullorja është e qartë, në afat prej 15 ditëve që informata I drejtohet komisionit përkatës, komisioni duhet të del me propozim vendim për marje ose për mosekzistim të kushteve për marje të mandatit. Kështu që afati është 15 ditë nga dita që e kanë pranuar letrën, mesa më kujtohet 15 eventualisht 16 maj është dita që e ka pranuar komisioni dhe prej atij momenti fillojnë 15 ditëshi I punës së komisionit përkatës. Tani a është nesër apo pasnesër dita e fundit, nuk është çështje me të cilën unë duhet të ngarkohem, por komisioni përkatës”.-tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Mbledhja e komisionit për çështje të mandateve dhe imunitetit do të udhëhiqet nga nënkryetarja e komisionit, pasi kryetari aktual Pavle Bogoevski, në mbledhjen e kaluar njoftoi se do të jep dorëheqje nga mandate i deputetit për shkak të skandalit me blerjen e mjeteve narkotike.