‘Mjekë për Shqipërinë’ është portali më i ri i prezantuar nga kreu i qeverisë Edi Rama. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se pas suksesit me portalin për infermierët, tani është radha e mjekëve.
Kryeministri i vendit theksoi se kjo formë punësimi i dha fund punësimit nga partitë politike.
“Prioritet ka ai, që ka pikë më shumë. Ishte sukses që ne replikuam me infermierët tani është e paimagjinueshme por e vërtetë që deri para disa vitesh listat e punësimit të infermierëve i bënin partitë politike.
Të hyjë në punë si infermier nuk kishe shans të kapërceje pragun nëse një parti nuk të propozonte. Sot jemi në një situatë ndryshe, përmes portalin infermierët punësohen në bazë të testimit. Nëse hapet një vend pune struktura përkatëse që ka nevojë për infermier i drejtohet portalit dhe shikon klasifikimin, nuk mund të marrë dot më poshtë për të lënë ata që janë lartë.
Duke qenë se fillimisht pati disa keqkuptime por edhe abuzime ne portalin e kthyem në ligj, nëse dikush e shkel faktikisht shkel ligjin. Të njëjtën eksperiencë ndoqëm me ekselentët që u rekrutuan në administratë. Këto sisteme e bëjnë të pamundur ndërhyrjen. Sot e njëjta gjë do të bëhet edhe për mjekët. Mbi bazën e rezultateve do punësohen“, tha Rama.
Ai tha se sot janë 112 vende pune në spitalet, ndërsa ftoi mjekët e rinj të aplikojnë duke u garantuar se procesi i garës do të jetë transparent dhe i drejtë për të gjithë.
Kreu i qeverisë gjatë fjalës së tij deklaroi se nga janari i 2018 kemi punësuar 480 mjekë, nga të cilët 235 janë specialistë në spitale. Sipas tij këto që tha nuk janë thjesht fjalë./l.m