Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, priti në takim zëvendëspresidentin e Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, i cili ishte i shoqëruar nga një delegacion nga Senati dhe Kongresi amerikan.
Në një komunikatë për media të Zyrës së presidentit të Kosovës thuhet se në takim u bisedua për procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës, fillimisht në Partneritetin për Paqe, e më pas edhe në NATO.
Temë e takimit ishte edhe çështja e dialogut Kosovë-Serbi dhe, siç u tha, “domosdoshmëria e shfrytëzimit të momentit për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese”.
“Mungesa e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ketë pasoja për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe u hap rrugë elementeve anti-evropiane”, tha Thaçi.
Wilson, në anën tjetër, e rikonfirmoi, siç tha, angazhimin e Këshillit të Atlantikut për Kosovën.
Kosova është në proces të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Dialogu aktualisht ka ngecur si pasojë e një takse që Kosova u ka vënë mallrave të importuara nga Serbia.
Megjithatë, të dyja palët janë zotuar se do të punojnë për arritjen e një marrëveshjeje, e cila është edhe kusht për përparimin e tyre në rrugën e integrimit evropian.