Nga Metju J.Koneli*
Që nga koha e Tomas Maltusit, njerëzit e shqetësuar rreth mbipopullimit, kanë pyetur nëse ka mjaftueshëm ushqim për të gjithë. Lajmi i mirë është se po, ka shumë ushqim. Në fakt, mesatarisht, konsumi kalorik ka qenë në rritje për dekada të tëra. Pra, nëse po na mbarohet ushqimi, është e vështirë ta shpjegojmë se përse njerëzit po konsumojnë gjithnjë e më tepër, pavarësisht faktit se shumica prej nesh po bëjnë një jetë shumë sedentare.
Dhe kur flasim për emetimet e dioksidit të karbonit në atmosferë, duhet të pyesni veten: kush e prodhon shumicën e këtyre emetimeve? Oxfam, publikoi një studim rreth 4 vjet më parë, që vlerësoi se 1 për qind e më të pasurve në botë, emetojnë gati 30 herë më shumë, se sa 50 për qind e më të varfërve të planetit.
Betsi Hartman, profesore në Kolegjin Hempshajër, SHBA:
Për disa njerëz, bota ka qenë për shekuj me radhë e mbipopulluar. Maltus shkruante rreth këtij problem në fund të viteve 1700, kur popullsia botërore ishte rreth 1 miliardë banorë. Shumë njerëz janë edhe sot të frikësuar nga mbipopullimi. Ata mendojnë se kjo do të sjellë degradimin e mjedisit, mungesë të burimeve mjedisore, ekonomike apo sociale.
Por, kjo narrativë shpërfill faktin se njerëzit nuk janë të gjithë të njëjtë: për shembull, është e rëndësishme të përcaktohet se kush është duke shkaktar një dëm mjedisor dhe pse. Ekziston një ndryshim i madh, midis një fshatari të varfër, dhe drejtuesit të një ndërmarrje të madhe që përdor karburantet fosile.
Unë mendoj, se njerëzit bëhen shumë nervozë kur shohin shifrat: tani jemi 7.6 miliardë njerëz, dhe numri mund të shkojë deri në 11.2 miliardë deri në vitin 2100. Por aktualisht, njerëzit në moshë riprodhuese kanë vetëm 2 ose më pak fëmijë. Popullsia ka gjasa të stabilizohet ose të reduktohet në të ardhmen.
Disa lëvizje ksenofobike të ekstremit të djathtë, po e shfrytëzojnë tani konceptin e mbipopullimit. Në Evropë dhe SHBA, e djathta ekstreme është shumë e shqetësuar për rënien e normave të lindjes tek të bardhët, dhe frikën se emigrantët po zëvendësojnë njerëzit e bardhë. Ndaj unë mendoj, se duhet të jemi jashtëzakonisht vigjilentë, për mënyrën se si përhapen narrativat mbi mbipopullimin.
Kimberli Nikols, profesore e asociuar në Universitetin e Lundit për studimet e qëndrueshmërisë:
Shkencat e fundit, tregojnë se për të shmangur ndikimet më të rrezikshme të ndryshimeve klimatike, ne duhet të reduktojnë ndotjen aktuale në gjysmën e dekadës së ardhshme. Aktualisht, vendet me të ardhurat më të larta, tentojnë të lidhen me ndotjen më të madhe të atmosferës.
Rreth gjysma e popullsisë së botës, jeton me më pak se 3 dollarë në ditë; kjo pjesë shkakton shumë pak ndotje (vetëm 15 për qind e totalit global).
10 për qind prej nesh që jetojnë me më shumë se 23 dollarë në ditë, ose rreth 8400 dollarë në vit, janë përgjegjës për 36 për qind të emetimeve globale të karbonit. Mënyra më e shpejtë për të ulur emetimet sot, është angazhimi serioz i atyre që janë në fakt ndotësit më të mëdhenj.
Raejuot Deonandan, profesor i asociuar në shkencat shëndetësore në Universitetin e Otavës, Kanada:
Një rajon, cilësohet zakonisht i mbipopulluar kur tejkalon kapacitetin mbajtës, pra numrin e njerëzve që burimet e një rajonin (zakonisht ushqimi) mund të mbështesë. Por ky vlerësim, varet nga ajo që hanë ata njerëz, dhe atë që ata janë të gatshëm të hanë. Për shembull, një dietë vegjetariane, është më e lehtë për t’u mbështetur me burime, sesa një dietë ku përfshihet edhe mishi.
Dhe përgjigja ndaj kësaj pyetje nuk varet vetëm nga ushqimi. Por edhe nga ajo nëse ka energji, ujë, vende pune, shërbime, dhe hapësirë fizike të mjaftueshme. Dendësia e popullsisë në mbarë botën është rreth 13 njerëz për km2, nëse e llogarisim në të gjithë sipërfaqen e globit. Por është 48/km2, nëse e matim vetëm me sipërfaqen e Tokës.
Kjo është ajo që e quajmë këtë dendësi aritmetike. Por, ne mund ta analizojmë këtë çështje bazuar tek “dendësia fiziologjike”, që merr në konsideratë vetëm sasinë e tokës së punueshme që është në dispozicion. Dhe me rritjen e niveleve të detit dhe shkretëtirëzimit, çdo vit ka gjithmonë e më pak tokë të punueshme.
Sipas disa vlerësimeve, që të gjithë të jetojnë si një amerikan i shtresës së mesme, Toka mund të mbështesë rreth 2 miliardë njerëz. Për një jetë më modeste dhe plot kursime sikurse ndodh në Evropë, kjo shifër shkon ndoshta mbi 3 miliardë. Dhe me ndryshime të tjera të jetesës, ky numër do të ngrihej më tej. Por, sa reduktim të standatit të jetesës jemi të gatshëm të tolerojmë?
Në fakt, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë në OKB, FAO vlerëson se 1.3 miliardë tonë ushqim i prodhuar shpërdorohet dhe shkon kot çdo vit. Dhe kjo është përafërsisht 1/3 e të gjithë ushqimeve të prodhuara. Pjesa më e madhe e humbjes, është shkaktuar nga magazinimi dhe transporti i papërshtatshëm.
Vlerësimet ndryshojnë, por shumica e tyre tregojnë se popullsia njerëzore do të arrijë kulmin në vitet 2070, duke shkuar nga 9-11 miliardë njerëz, para se të fillojë që të bjerë pas kësaj.
Por për momentin, bota nuk është e mbipopulluar. Së pari, sepse shumica e njerëzve në botë nuk janë tepër konsumues. Së dyti, rritja më e madhe është në ato popullata që janë më pak përgjegjëse për dëmet ekologjikë. Së treti, kemi mjaftueshëm ushqim për të gjithë. Së fundmi, norma e rritjes së popullsisë botërore tashmë është ngadalësuar dhe ne do të kemi rënie deri në fund të shekullit.
* Profesor i historisë në Universitetin e Kolumbias. Marrë nga “Earther” – Bota.al