Nga nisja e vetting-ut në mars 2018 me Fatos Lulon, anëtar i Gjykatës Kushtetuese mjaftuan 10 muaj që kjo Gjykatë të shkërmoqej duke mbetur me vetëm një gjyqtar Kushtetues. Vitore Tusha, profesoreshë e të drejtës civile, me gradë “doktor i shkencave juridike” në këtë fushë dhe anëtare e Gjykatës Kushtetuese prej 11 vitesh, është e vetmja që u konstatua e pastër nga procesi rivlerësues.
Njëkohësisht si nën efektin domino, pas shkarkimit të Lulos nga detyra, u rrëzuan njëri pas tjetrit katër anëtarët e tjerë: Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari. I humbur doli gjatë rivlerësimit të trefishtë edhe kryetari i kësaj gjykate Bashkim Dedja, i cili prej tetë vitesh dhe dy mandatesh drejtoi gardianët e Kushtetutës.
Me pesë shkarkime nga detyra, dhe tre dorëheqje të gjyqtarëve Sokol Berberi, Vladimir Kristos, dhe Besnik Imeraj, dy prej tyre pas përfundimit të mandatit dhe njëri siç deklaroi për arsye personale, gjykata Kushtetuese hyri zyrtarisht në ditë të vështira. Por megjithatë parashikimet nga njëra anë dhe shpresën që shoqëronte të tjerët që prisnin për të dalë në vetting, furtuna u pa e pandalshme gjatë 2018, kur në bllok u shkarkuan Xhoxhaj, Hoxha e më pas Gani Dizdari.
Është momenti kur gjykata mbledh forcat dhe shprehet me vendimin e saj të fundit. Pas kësaj, gjykatës ju shpërbë kuorumi minimal prej tre anëtarësh për shqyrtim paraprak të çështjeve. Dhjetori ishte grushti i fundit i vetting-ut edhe për Dedjan, që megjithëse ishte konfirmuar nga shkalla e parë, ai u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, për shkak se nuk ishte bindës në justifikimin e pasurive.
Në këtë mënyrë, ligji i vettingut i shpallur me 6 vota pro dhe dy kundër nga gjyqtarët kushtetues, i la në detyrë kësaj gjykate vetëm zonjën Vitore Tusha. E ngelur e vetme, gjyqtarja kushtetueses e cila kryen edhe detyrat e anëtares edhe të kryetares, vazhdon të mbajë hapur dyert e “Rojes” së Kushtetutës. Por edhe zonjës Tusha i ka përfunduar mandate nëntë vjeçar. Ajo pret të zëvendësohet nga anëtaret e rinj që do të vijnë dhe për të mos mbyllur dyert e Gjykatës më të rëndësishme në vend ajo nuk dha dorëheqjen siç vepruan kolegët e saj,atëherë kur ju përfundoi mandati.
Çfarë ndodh në Gjykatën Kushtetuese tashmë?
Kushtetuesja Vitore Tusha, gjithashtu edhe anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi flet si përherë në emër të ligjit. Në terma të thjeshtë një gjyqtar i vetëm nuk mund të japë asnjë vendim, ndaj edhe Gjykata Kushtetuese ndodhet në krizë. Në terma të ligjit, zonja Tusha konsiderohet gjyqtar relator.
Gjyqtarja tregon se çfarë ndodh sot në Gjykatë: “Në përputhje me kompetencat që ka Gjykata Kushtetuese, të përcaktuara kryesisht në nenin 131 të Kushtetutës, subjektet që legjitimohen, vazhdojnë t’i drejtohen kësaj gjykate. Kërkesat e ardhura i kalojnë automatikisht gjyqtarit relator që është në detyrë, dhe gjyqtari relator bashkëpunon në këtë proces me këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese. Këshilltarët për secilën çështje përgatisin opinionet ligjore duke ju referuar kërkimeve shkencore që ka nevojë çështja konkrete.
Më tej këtë relacion ja paraqesin gjyqtarit relator. Gjyqtari relator e përgatit çështjen, por nuk vazhdon më tej me relatimin në kolegj, sepse duhet të relatohet në një kolegj prej 3 gjyqtarësh. Sa kohë nuk formohet kolegji, nuk vazhdohet më tej me hapat procedural të procesit konkret, në pritje të krijimit të kuorumit të domosdoshëm të Gjykatës Kushtetuese”-thotë zonja Tusha.
Ndërkohë të dhënat statistikore tregojnë se 79 kërkesa vazhdojnë të jenë në pritje për tu shqyrtuar, prej të cilave 17 janë depozituar gjatë 2019 dhe 62 i përkasin vitit të kaluar.
Sa i përket tipologjisë të llojit të kërkesave , vendin më të madh e zënë kërkesat për proces të rregullt ligjor, por edhe të tjera në kuadër të kontrollit incidental, për shfuqizim ligjesh dhe aktesh normative siç janë vendime të këshillit të ministrave dhe ligji për pronat, për financat e qeverisjes vendore.
Më tej presin për t’u shqyrtuar kërkesa për zgjidhje mosmarrëveshjesh të kompetencave sikurse ajo e kryeministrit për zgjidhje të mosmarrëveshjes ndërmjet kryeministrit dhe presidentit. Disa gjykata siç janë të Tiranës, Gjykata e Krimeve të Rënda dhe Gjykata e Shkodrës kanë pezulluar gjykime penale dhe kërkojnë interpretim të nenin 453 të Kodit të Procedurës Penale që flet për shqyrtimin e kërkesës pë rishikim të gjykimit. Por asnjëra prej këtyre kërkesave nuk mund të trajtohet përsa kohë gjykata kushtetuese ka rënë.
Aurela Anastasi, profesoreshë “E të drejtës kushtetuese” e po ashtu eksperte e nivelit të lartë të reformës në drejtësi kërkon të shpejtohen procedurat për mbushjen e gjykatës kushtetuese. Duke ju përgjigjur pyetjes se çfarë pasojash vijnë nga bllokimi i Gjykatës Kushtetuese, zonja Anastasi paralajmëron penalizimin e Shqipërisë nga Strasburgu.
Anastasi shtjellon: “Pasojat lidhen drejtpërdrejtë me mos funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe impaktin që ka funksionimi i saj për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kushtetuese dhe interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Ky është një funksion shumë i rëndësishëm shtetëror dhe kushtetues . Ndërprerja e tij sjell rritjen e numrit të çështjeve stok që duhet të gjykohen . Nga kjo pikëpamje dhe mbi të gjitha mos gadishmërinë e këtij institucioni në rastet kur është shumë e nevojshme për të zgjidhur konflikte dhe mosmarrëveshje kushtetuese me impakt të lartë politik.
Pra jemi në dy momente, stokun dhe nga ana tjetër mbrojtjen e të drejtave themelore dhe kushtetuese të qytetarëve dhe nëtë njëjtën kohë , ajo që thashë, moszgjidhja në kohë e çështjeve që kanë ndjeshmëri të lartë politike. Që të dyja janë çështje të rëndësishme në shoqëri dhe jo vetëm kërkojnë një gjykatë kushtetuese, , por kërkojnë një gjykatë kushtetuese efiçente dhe të shpejtë me një gjykim në një kohë të arsyeshme. Qëndrimi i gjykatës kushtetuese në ngrirje , mos funksionuese për një kohë të gjatë do ta shndërronte atë në një mjet jo efektiv , që do të konsiderohej edhe nga gjykata e Strasburgut si e tillë , për shkak se ka një afat për shqyrtimin e çështjeve dhe mos funksionimi i kësaj gjykate na con në gjykimin e cështjeve tej afatit të arsyeshëm ligjor. Kjo do të thotë shkurt , proces jo i rregullt ligjor”_nënvizon Anastasi.
Sivjet mbushen 27 vjet nga krijimi i Gjykatës Kushtetuese, starti i të cilës nisi pas rënies së diktaturës. Deri në atë kohë pika më e lartë e drejtësisë ishte Gjykata e Lartë dhe për rrjedhim ngritja e Gjykatës Kushtetuese premtonte kushtetueshmërinë, respektimin dhe mbrojtjen e Kushtetutës.
Me gjithë trajektoren e përshkruar nga gjykata kushtetuese gjatë këtyre dekadave, më të rëndësishmet lidhen me kushtetutën e 1998 që e pozicionuan GJK si institucionin më të rëndësishëm në vend. Në vazhdim impakti tjetër i rëndësishëm lidhet drejtpërdrejtë me reformën në drejtësi të 2016.
Thimio Kondi është njëri prej anëtarëve të Gjykatës së Parë Kushtetuese (1992), me kryetar Rustem Gjatën dhe në përbërje Natasha Sheshi, Manol Konomi, Feti Gjilani, Hilmi Dakli, Veli Budo, Franc Jakova, Ylvi Myrtja.
Thimio Kondi e shikon bllokimin e gjykatës kushtetuese të sotme të lidhur me reformën sepse sic shpjegon ai :“reformat kërkojnë kohën e tyre për tu realizuar . Kam dëgjuar se Gjykata Kushtetuese do të plotësohet së shpejti. Nuk shtoj asgjë tjetër –thotë Kondi- veç mesazhit se e mira për të gjithë, është që gjykata kushtetuese të funksionojë sa më shpejt.”
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka goditur në Kushtetuese një nga nenet për vetting-un në polici që flet për poligrafin dhe sic edhe kërkuesit e tjerë edhe KSHH duhet të presë. Por Erida Skëndaj, drejtuese ekzekutive sjell shembuj të bllokimit të Gjykatës Kushtetuese Gjermane, pasi mbas ribashkimit, vendi u përball me një stok çështjesh të pazgjidhura në Gjykatën Kushtetuese.
Në këtë kuptim thekson Skëndaj, Gjykata e Strasburgut u shpreh në çështjen “Sussman “kundër Gjermanisë duke rrëzuar kërkesën e paditësit se procesi ishte i tejzgjatur tej afateve të arsyeshme. Nën argumentin se Gjykata Kushtetuese merr parasysh në trajtimin e çështjeve jo vetëm rendin kronologjik si ato paraqiten por edhe rëndësinë sociale dhe politike të çështjes.
Skëndaj mendon se një kazus i tillë do të ulë rreziqet që mjaft shtetas shqiptarë të fitojnë në Strasburg me kartën e gjykimit tej afateve, sepse:
“Në mënyrë analogjike edhe bllokimi i përkohshëm i Gjykatës kushtetuese mund të justifikohet nga Gjykata e Strasburgut për ankesat potenciale . Justifikimi mund të bazohet për shkak të situatës dhe ngërçeve të krijuara disa prej tyre edhe me natyrë politike , lidhur me zbatimin e paketës së reformës në drejtësi “– shprehet Skëndaj.
Por ndërkaq mjaft juristë parashikojnë se qytetarët do t’i drejtohen Strasburgut, sepse ata nuk po marrin drejtësi në kohë edhe në një Gjykatë tjetër siç është Gjykata e Lartë. Në këtë gjykatë gjenden zyrat e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, një nga organet më të reja të reformës në drejtësi që ka për detyrë të verifikojë kushtet ligjore dhe të vlerësojë kriteret e kandidatëve për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese si edhe kandidatëve për Inspektorë të Lartë të Drejtësisë.
Dy KED të mëparshme me mandat një vjeçar dështuan ta bëjnë këtë gjë, duke sjellë në një fare mënyre edhe mos-mbushjen e Gjykatës, teksa ajo po zbrazej nga vetting-u. Aktualisht , që prej konstituimit, nëntë anëtarët e KED së tretë po procedojnë me shpejtësi për vakancat e Gjykatës Kushtetuese.
Një veprimtari të cilën kreu i KED, zoti Ardian Dvorani e cilësoi gjatë një takimi si “ krejtësisht të pazakontë”. Në fakt ky përcaktim i zotit Dvoranit, vjen pas 16 mbledhjeve me dyer të mbyllura të KED 2019 , që i dha fund dështimit të dy KED paraardhëse të cilat nuk kishin bërë as lëvizjet më minimale siç duhet të ishte miratimi i akteve nënligjore për organizimin e brendshëm.
Në fillim të prillit, KED përfundoi paketën e akteve nënligjore normative , pa të cilat nuk mund të kalohej në procesin e shqyrtimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave. Sipas kësaj pakete, garantohet një kontroll i imtësishëm i kandidaturave, mbi bazën e të cilave KED do të evidentojë dhe vendosë për renditjen apo pikëzimin e kandidaturave që garojnë drejt Gjykatës Kushtetuese.
Ardian Dvorani e konsideroi këtë moment gjatë një takimi si vijon “procedura e verifikimit të kandidatëve nga KED nuk është thjesht formale. Krahas studimit të kujdesshëm dhe rigoroz të dokumentacionit që kanë paraqitur vetë kandidatët, KED ka filluar dhe janë në proces ndjekjeje mbi 2 mijë veprime kontrolli dhe verifikimesh për kandidatët, duke ju drejtuar me kërkesa për informacion mbi 60 institucioneve publike dhe subjekteve private, lidhur me integritetin pasuror, etik dhe moral të kandidatëve. E gjitha kjo veprimtari e KED- u shpreh Dvorani- po zhvillohet pavarësisht, nga ajo që do të kryejë sipas ligjit ILKDPKI, Prokuroria e Përgjithshme dhe organet e tjera ligjzbatuese”.
Siç rezulton lista e kandidatëve që synonin një vend drejt Gjykatës Kushtetuese ishte 42 pretendentë. Garës i hynë gjyqtarë dhe prokurorë të cilët mendojnë se plotësojnë kushtet e kriteret, dhe për këtë arsye dorëzuan jetëshkrimin. Por edhe ish-prokurori i përgjithshëm si Theodhori Sollaku, ish-gjyqtari i gjykatës së lartë Avni Shehu, ish ministri i drejtësisë e gjithashtu pjesë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë Ilir Panda, ish kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Çlirim Gjata apo edhe ish anëtari i Gjykatës Europiane për të drejtat e Njeriut, Kristaq Traja.
Nuk mungonin edhe profesoreshat e Fakultetit të drejtësisë Zhaklina Peto dhe Kestrin Katro si edhe këshilltarë të gjykatës kushtetuese që ndërkohë e kanë kaluar me sukses vetingun si Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska. Por nga kjo listë e gjatë me pretendentë u pakësua nga ditë në ditë, dhe në përfundim kanë mbetur si konkurrentë vetëm 19 prej tyre , tre nga të cilët garojnë edhe për Inspektorë të Lartë të Drejtësisë.
Dy nga kandidatët, Luan Dervishi dhe Rovena Gashi u shkarkuan nga vetting-u, 14 të tjerë u tërhoqën. Për pesë të tjerë u njoftua renditja e tyre në listën e kandidatëve të ndaluar nga kandidimet për vendet vakante dhe konkretisht për Ardita Alsulën, Denar Bibën, Kristaq Trajën, Vasil Bendon dhe Konstandin Kazanxhiun.
Aktualisht Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po verifikon secilin prej kandidatëve sipas të dhënave që dorëzohen nga institucionet. Por edhe në këtë pikë ka një dilemë përpara se të kryhet pikëzimi dhe renditja e tyre dhe për t’ia dorëzuar më pas organeve të emërtesës që do t’i votojnë. Përderisa në listë janë edhe emrat e tre gjyqtarëve Regleta Panajoti, Anila Kristani dhe Ilir Mustafaj, ata njëkohësisht janë edhe në pritje të vetting-ut që do të thotë nuk dihet nëse për renditjen e tyre do të mbahet parasysh apo joky kriter. E sigurtë është se lista me kandidatura, pas renditjes, i kalon menjëherë presidencës dhe kuvendit , të cilët në vazhdim duhet të zgjedhin nga tre kandidatë. Megjithatë, problem i pazgjidhur do të ngelet gara për tre anëtarë që duhet të zgjidhen nga Gjykata e Lartë dhe që pasi renditen nga KED janë në kuotat për Gjyqtarë Kushtetues.
Edhe pse gara është hapur disa herë,ajo është mbyllur pa sukses. Më herët, për kuotat që duhet të shkojnë nga Gjykata e Lartë në Gjykatën Kushtetuese kanë dorëzuar CV vetëm tre pretendentë që janë gjyqtarët, Luan Hasneziri, Medi Bici dhe Ardian Dvorani. Në kushtet kur dy prej tyre u tërhoqën për shkak të funksioneve të reja që morën, emri i gjyqtarit Hasneziri ngeli vetëm dhe ndaj u pa i pamjaftueshëm për tu vendosur në verifikimet e KED. Në këtë situatë parashikohet se nuk do të kemi një mbushje të plotë të Gjykatës Kushtetuese.
Pavarësisht gjendjes ku ndodhet Gjykata e Lartë pritet të shpallë sërish garën për tre vendet vakante që i takojnë t’i plotësojë në Kushtetuese.
Sidoqoftë, edhe nëse kësaj radhe do të ketë të interesuar ,Gjykata e Lartë përsa kohë është në numrin minimal të anëtarëve nuk mund të formojë kuorumin me 14 anëtarë për të votuar tre kandidatët që do të mund t’i çonte në kushtetuese.
Ndaj ajo që kuptohet qartësisht është se Gjykata Kushtetuese e ardhshme do të ketë 6 anëtarë të rinj, që pas renditjes së KED do të zgjidhen nga Kuvendi dhe Presidenca. Por edhe për ta, nuk mund të caktohet një afat i sigurt se kur do të ndodhë diçka e tillë, edhe pse në një nga daljet e vetme publike kreu i KED, Ardian Dvorani premtoi se ndoshta brenda muajit maj, KED do të dërgojë tek organet e emërtesës listën e të gjithë kandidatëve me pikët përkatëse të secilit.
Më pas, gjithçka do të ndodhë dhe që lidhet me fatin e Gjykatës Kushtetuese do të kërkojë kohën e vet , që sipas ligjit matet me afate. Por për këdo që ka vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese me kërkesa që është e pamundur të shqyrtohen, do të thotë pritje dhe drejtësi e vonuar. Top Channel (Anila Hoxha)