Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka shtruar iftar për muajin e Ramazanit. Të ftuar në këtë iftar ishin kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Bujar Spahiu, përfaqësues të trupit diplomatik, deputetë e gazetarë.
Ruçi në fjalën e tij u shpreh se mirëkuptimi fetar është një model shembull në shoqërinë shqiptare. Ai shtoi se kombi shqiptar është i vogël në numër, por i madh nga trashëgimia dhe aspiratat.
Fjala e mbajtur nga kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi:
Përshëndetje në darkën e Iftarit
Të nderuar besimtarë,
I nderuar zoti Spahiu, Kryetari i Komunitetit Mysliman,
Të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik,
Të nderuar kolegëe deputete e deputetë,
Të nderuar gazetare e gazetarë,
Zonja e zotërinj,
Ju faleminderit që erdhët në këtë mbrëmje të bukur, në këtë gëzim fetar, njerëzor e miqësor, që na bashkon të gjithëve, në muajin e shenjtë të Ramazanit.
Gjatë këtij muaji të bekuar myslimanët shqiptarë, si një miliard e gjysëm myslimanë të globit, gëzohen, kremtojnë e bëjnë sakrificë. Por gëzimit të tyre u bashkohen edhe shumë shqiptarë, të besimeve të tjera.
Të tillë jemi ne, që ngjarjet e rëndësishme fetare i ndajmë me njeri-tjetrin dhe kështu gëzimi që sjellin ato shtohet.
Kombi shqiptar, i vogël në numër, por i madh për nga historia, trashëgimia, sakrificat, aspiratat dhe besimi në të ardhmen është i bashkuar rreth besimeve dhe ka ndërtuar e ndërton përditë paqen e mirëkuptimin midis tyre.
Cilido qoftë besimi ynë, ne jemi të gjithë një familje.
E them me bindje të plotë se mirëkuptimi fetar është modeli më solid që shërben si arkitekturë e ndërtimit të një shoqërie me kohezion, barazi e drejtësi shoqërore dhe prej të cilit të gjithë kemi ç’të mësojmë.
Është momenti ideal në historinë dhe në jetën tonë që provon sesi liria prodhon dashuri, solidaritet, përdëllim e përkushtim për tjetrin, fqinjin, të ndryshmin, të pafuqishmin, nevojtarin.
Muaji i Ramazanit është një mundësi që tregon se ne, njerëzit, jo vetëm bëjmë sakrifica me vetëdisiplinë e durim, por edhe tejkalojmë kufizimet tona, paragjykimet, armiqsitë, paditurinë dhe padrejtësinë.
I kapërcejmë këto kufizime jo vetëm me fjalë, por me veprime që tregojnë shpirtin tonë të madh, zemrën tonë të gjerë, mendjen tonë të ndriçuar dhe vlerat tona të spikatura.
Gëzuar Muajin e Shenjtë të Ramazanit!
Agjërim të lehtë e të pranuar!
Bekuar qofshi të gjithë ju!
Bekuar qofshin Shqipëria dhe shqiptarët, në Shqipëri e Diasporë!