Antoinne Griezmann njoftoi javën e kaluar nëpërmjet një video-mesazhi se ka vendosur të largohet nga Atletico e Madridit këtë verë, pas një eksperiencë 5-vjeçare mjaft të suksesshme në klubin e kryeqytetit spanjoll.
Kaq mjaftoi që mediat në gadishullin iberik të lidhnin të ardhmen e kampionit të botës me Barcelonën, por duket se Messi me shokë janë shprehur kategorikisht kundër një transferimi të tillë.
Megjithatë sipas mediave britanike, e ardhmja e Griezmann nuk do të jetë më në Spanjë, por në Londër, ku pritet t’i bashkohet Chelseat, për të zëvendësuar belgun Eden Hazard, i cili pritet të niset drejt Madridit, me destinacion Realin.
“The Sun” këmbëngul se drejtimin e londinezëve do ta marrë Franck Lampard, ndërsa ish mesfushorit i është premtuar një merkato e bujshme, me Griezmann që do të jetë ndër të parët emra që do të nënshkruajnë.
Kujtojmë që Griezmann ka një klauzolë prishjeje të kontratës, në vlerën e 120 milionë eurove, ndaj çdo klub që kërkon të marrë francezin, duhet të paguajë këtë shumë në arkat e Atleticos së Madridit.