Astrit Patozi ka reaguar pas vendimeve të KQZ duke hedhur akuza ndaj anëtarëve të kësaj të fundit.
Përmes Facebook, ai shprehet se rrëzimi i kandidaturës në Berat, është absurd dhe i paracaktuar.
“Bindja Demokratike do t’i shkojë betejës ligjore deri në fund sa i përket kandidatit Pavllo Shkarpa” – shkruan Patozi ndër të tjera.
Postimi i plotë:
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i dominuar nga përfaqësuesit e shumicës rrëzoi sot në mënyrë arbitrare kandidatin e BINDJES DEMOKRATIKE në Berat, zotin Pavllo Shkarpa, duke i hapur rrugën zgjedhjeve me një kandidat të vetëm në atë bashki. KQZ, e cila votoi si rrallë herë me unanimitet ishte sot shumë e vendosur për ta ndëshkuar kandidatin tonë, ndonëse në kundërshtim flagrant me kushtetutën e vendit.
Argumenti i përdorur prej anëtarëve socialistë të KQZ, sipas të cilit zoti Shkarpa është regjistruar me vonesë në gjendjen civile të Beratit, nuk gjendet asgjëkundi në Kodin Zgjedhor apo në kushtetutën e vendit.
Vendimi absurd, që ngjante dukshëm si i paracaktuar, e çon në dy numrin e kandidatëve të BINDJES DEMOKRATIKE të përjashtuar nga gara prej qeverisë.
Disa ditë më parë kandidati ynë për Skraparin, zoti Devi Hebibasi, u tërhoq fare papritur nga kandidimi, pasi u ndje i kërcënuar nga përfaqësuesit e “Rilindjes” atje. Vlen të theksohet se të dy kandidatët tanë të rrëzuar nga njerëzit e qeverisë i përkasin të njëjtit qark.
Vendimi i sotëm pason dorëheqjen e dy kandidatëve tanë në Lezhë e Kavajë, të cilët e morën vendimin të ndikuar dukshëm nga presioni i Partisë Demokratike. Dhe tashmë mund të flitet për një barazim të plotë mes “Rilindjes” dhe “Republikës së Re” në raport me gjuetinë ndaj kandidatëve tanë.
E ndodhur në këto kushte, BINDJA DEMOKRATIKE deklaron se është e vendosur t’i shkojë deri në fund betejës së saj ligjore për të garuar me kandidatin e saj në Berat. Ndërkohë, ajo paralajmëron qeverinë që të heqë dorë nga këto goditje të ulëta ndaj njerëzve të saj, sidomos në qarkun e Beratit.
Nuk mund të jetë kurrësesi rastësi që kandidatët tanë po sulmohen njëkohësisht nga të dy partitë e vjetra, të cilat janë përgjegjëse për krizën e sotme që kalon Shqipëria.
BINDJA DEMOKRATIKE fton partnerët tanë, të cilët janë të interesuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri, që të ushtrojnë të gjithë ndikimin e tyre që procesi të mos cënohet më tej, nga brutaliteti i qeverisë dhe i atyre që kërcënojnë të prishin zgjedhjet.