Nga Mero Baze
Presidenti nuk përbën lajm kur flet kundër reformës në Drejtësi. E ka votuar nën presion me zemër të thyer dhe e ka mallkuar që ditën e dytë, duke ja nis punës, bashkë me Sali Berishën për të bllokuar mekanizmat e ngritjes së institucioneve të Reformës.
Në fakt për plot tre vjetë, ata arritën të fusin plot stërkëmbsha në ngritjen në kohë të institcioneve, duke përdorur dhe tymuese në parlament kur zgjidhej prokuroja e përkoshme e përgjithshme. Dhe nuk është se nuk kanë patur sukses. Një lloj vonese e kanë arritur dhe sot mund të krenoheshin me të.
Por ajo që kanë penguar me atë që po arrihet është shumë e vogël dhe tani nuk janë krenar dhe as të kënaqur që e kanë penguar, por janë nervoz, se ajo më në fund po bëhet.
Dhe për këtë sot Presidenti ka bërë një propozim të jashtzakonshëm dhe të padëgjuar ndonjëherë, që kërkon të vërë nën hetim një foshnjë që ende nuk ka lindur.
Kërkesa e presidentit Ilir Meta për ngritjen e një Misioni Moniturues për Reformën në Drejtësi, është në fakt një kërkesë e dëshpëruar për të ndaluar fillimin e Reformës në Drejtësi. Reforma në Drejtësi do të nis të funksionoj ndoshta për disa muaj, kur të vihet në funksioim SPAK, dhe të plotësohen dy gjykatat kryesore të vendit, ajo Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Përmbushja e kësaj procedure është në hapat e fundit çka do të thotë që Reforma nuk u ndal dot.
Tani për ta bllokuar zbatimin e saj, teza e re e kundërshtarëve të Reformës është pikërisht ngritja e një misioni të ri monitorues, që të hetoj reformën, e cila në fakt akoma nuk ka filluar.
Dhe këtu palët janë të ndara dhe janë njësoj si gjatë procesit për ngritjen e institucioneve, pra në një anë Berisha dhe Meta dhe në anën tjetër, shumica, së bashku me SHBA e BE.
I gjithë konteksti politik ku Ilir Meta e vendoste propozimin e tij, ishte I mbushur me ngjyrimet që ai I jep krizës politike, anësisë që ai ka marrë në krizë, duke qenë në anën e molotëvëve dhe dhunës mbi 30 Qershorin, dhe mbi të gjitha në faktin që zgjedhjet e 30 Qershorit pa opozitën, do të jenë një arsye për revansh dhe ndaj Reformës në Drejtësi.
Në fakt është e kundërta.
Zgjedhjet e 30 Qershorit nuk do jenë zgjedhje të lumtura, por do të jetë një process i dhimbshëm nga një plagë që Shqipërisë po ja krijon opozita. Por e ardhmja e politikës shqiptare nuk do të diktohet nga 30 Qershori, por nga Reforma në Drejtësi. Në Shtator e ndoshta deri në Janar lajmet kryesore nuk do jenë protestat me Molotov, por politikanët dhe zyrtarët e ish zyratrët që mund të përfundojnë pas hekurave. Unë besoj se plot prej tyre do të jenë dhe socialistë. Por natyrisht nuk mund të jetë një reformë në drejtësi pa rishfletuar dosjet e mbyllura me procedurë, skandalet e hetura nën presion politik, dhe dosje korrupsioni që ende flenë në prokurori.
Unë nuk besoj se Ilir Meta më shumë se sa ndonjë problem aq personal me Reformën në Drejtësi, ka një problem politik, pse Reformën e mbikqyrin dhe e mbajnë nën kontroll SHBA dhe Bashkimi Evropian. Të njëjtin qëndrim ka dhe Sali Berisha.
Reforma nuk është produkt I Edi Ramës, por Edi Rmaa është mbështetës I saj. Ai mund të jetë dhe viktimë e saj, por kjo nuk ja ka lëkundur atij qëndrimin pro reformës. Fakti që Ilir Meta dhe Sali Berisha, kërkojnë ti kundërvihen rolit të SHBA dhe BE në procesin e Reformës, me një institucion “ad hock”, me vota të Asamblesë së OSBE, ku gjysma e vendeve anëtare janë nën influencën ruse, tregon se ata duan ta ngrejnë stekën e betejës kundër reformës në drejtësi, edhe si një betejë gjeopolitike, duke përlasur interesat perëndimore me ato joperëndimore në Shqipëri. Është e njëta gjë që Berisha bëri më 1996 pas zgjedhjeve, ku pasi Perëndimi, SHBA BE dhe ODIHR denoncuan zgjedhjet ai gjeti ngushëllim tek Asableja parlamentare e OSBE.
Ky është një mision I admirushëm për nga guximi politik, dhe vendosmëri që buron nga një makth I madh. Por është e qartë se dhe kriza e 30 Qershorit I ka rrënjët tek ky makth. Nuk është punë humbje pushteti në disa bashki. Është makthi që po humbasin pushtetin mbi drejtësinë. Është beteja e jetës për Presidentin Ilir Meta dhe ish presidentin Sali Berisha. Ajo I ka mbajt në pushtet dhe pa dënuar deri tani. Nuk është e sigurtë se Reforma mund ti ndëshkoj, por ata kanë frikë, se ata e dinë më mirë se ne çfarë kanë bërë.