“Nuk e kemi opozitën armike, por duam të dialogojmë për të ardhmen e vendit dhe e presim në dialog pa kushte”, – deklaroi sot deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj.
I ftuar në një studio televizive, Ahmetaj tha se “ftesa është që të ulemi së bashku të dialogojmë për reformën zgjedhore, duke evidentuar problemet që ne dhe ata mendojnë se janë për t’u korrektuar dhe rregulluar”.
“Dialogu i kërkohet opozitës dhe nuk është çështje numrash sa i takon përfaqësimit, por është çështje tryeze, formati, vizioni për të ardhmen dhe çështje dakordësie për të përmirësuar të ardhmen e vendit”, – tha Ahmetaj.
Dashuria në politikë kalon përmes votës, tha Ahmetaj dhe ajo votë e ka treguar dhe ka mandatuar Edi Ramën si kryeministër të shqiptarëve. “Do të ishte absurde nëse do të ngrihej PS dhe do të thoshte se ne nuk e duam Bashën kryetar të opozitës. E njëjta gjë ndodh edhe me kryeministrin e vendit, që ka marrë një mandat të pastër”, – tha ai.
Duke iu referuar thirrjeve të opozitës për pengimin e zgjedhjeve në 30 qershor, Ahmetaj tha se “nuk e beson se nga ana e opozitës do të ketë në 30 qershor një dëshirë për dhunë”.
“Jam i bindur se aty ka mendje burrash dhe grash të mençura që nuk do t’i heqin të drejtën qytetarëve shqiptarë të zgjedhin ata që duan për të vazhduar shërbimet komunitare”, – tha Ahmetaj.
Ndërkohë ai shtoi se “protestat e dhunshme të opozitës dëmtojnë seriozisht ekonominë e vendit dhe investimet”.
Për sa i takon argumenteve të opozitës për blerje të votave në zgjedhjet e 2017, Ahmetaj tha se “kjo duhet t’i lihet drejtësisë”. “Jam i bindur se nuk është është prekur rezultati i zgjedhjeve, por këtu është çështje e mbijetesës së një opozite dhe në këndvështrimin tim është çështje e identitetit të opozitës”, – tha ai.
/a.rada