Socialdemokrati Skënder Gjinushi ngrin të gjitha funksionet politike për Akademinë e Shkencave. Pas hartimit të reformës për shkencën, ai është kandidati i vetëm për drejtimin e Akademisë.
Katër ditë para zgjedhjeve për kreun e ri të këtij institucioni, Skënder Gjinushi thotë se ka hequr dorë nga politika dhe reforma e tij synon një akademi të pavarur. “Kjo është shoqëruar me dhënien e dorëheqjes si kryetar i PSD dhe ngrirjen e menjëhershme të funksioneve. E para gjë që ka bërë reforma e drejtuar prej nesh është depolitizimi dhe ata që kanë përshëndetur politizimin atëherë, flasin tani për politizim nga ana jonë”, shprehet Skënder Gjinushi.
Por çfarë do të sjellë reforma “Gjinushi” në Akademinë e Shkencave?
“Fillon që nga pranimet e reja që është shumë e rëndësishme. 15 pranime të reja në dy vjet. E dyta, futet koncepti i statusit të anëtarit korrespondent dhe institute prestigjioze mund të jenë dhe pranë Akademisë së Shkencave, por këto lihen që të vendosen sipas kohës. Rikthehen të drejtat për 1/3 e anëtarëve që ishin privuar në mënyrë të padrejtë” shpjegoi kandidati për Akademinë e Shkencave.
Skënder Gjinushi nuk ndihet keq për faktin se është i vetëm në garën e 24 majit. Madje mungesën e rivalëve në zgjedhje e interpreton si mbështetje në masë nga akademikët. Sipas tij ka një unitet jo ndaj emrit të personit, por ndaj reformës në Akademi.
Socialdemokrati Gjinushi iu kthen përgjigje edhe sulmeve të vazhdueshme të akademikut Artan Fuga ndërsa tregon pse nuk u mor parasysh modeli i tij. “Përveç se gjithë pjesa që quhet pr/ligj a platformë është e papërpunuar dhe e pabotueshme, kërkon të kthehet reforma e dështuar e 2008-ës”, përfundoi Skënder Gjinushi.
Më 24 maj, Asambleja e Akademisë së Shkencave, e legjitimuar tashmë me vendim gjyqësor, do të zgjedhë kryetarin e ri me shumicë absolute votash.