Pasi u betua këtë javë në Parlament, kryetari i Partisë së Pensionistëve të Shqipërisë, Selami Jenisheri është një ndër deputetët më të ri të parlamentit të Shqipërisë por dhe më i vjetri në moshë.
Ai vjen nga lista e Partisë Demokratike në qarkun e Shkodrës. Megjithëse kaloi pak kohë, derisa të merrte mandatin e deputetit ai e kishte paralajmëruar. Jenisheri kërkonte nga kryetari i partisë demokratike, Lulzim Basha që t”i rikonstruktonte godinën e partisë së tij, pasi në rast të kundër do të pranonte të merrte mandatin.
Kur i erdhi thirrja nga KQZ, ai dorëzoi formularin e dekriminalizimit dhe këtë të enjte mori mandatin. Por News24 ka zbuluar se Selami Jenisheri rrezikon ta humbë sërish mandatin pasi ka gënjyer në deklarimet e bëra në formularin e dekriminalizimit.
Ai është dënuar me 8 muaj burg nga gjykata e Shkodrës në vitin 2001 për akuzën e mashtrim, vendim të cilin e ka apeluar në gjykatën e lartë dhe kjo e fundit ka lënë në fuqi dënimin.
Në formularin e dekriminalizimit, Jenisheri thotë se nuk ka qenë në asnjë rast i dënuar si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Tashmë topi i kalon seksionit të dekriminalizimit në prokurorinë e përgjithshme dhe më pas komisionit qendror të zgjedhjeve.
Selami Jenisheri me shumë mundësi do të jetë deputeti që qëndroi më pak në sallën e parlamentit.
/a.rada