Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi skanimin e pastërtisë së figurës së kandidatëve që garojnë për zgjedhjet e 30 qershorit, bazuar në ligjin e dekriminalizimit.
16 kandidatët e parë, që të gjithë nga lista e PS-së, morën aprovimin e KQZ-së, pasi nuk kishin asnjë problematikë që mund t’u pengonte kandidimin.
KQZ-ja e nisi këtë proces me Agron Malajn, kandidat për Bashkinë Mat, i cili ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit një dënim prej 10 muajsh për armëmbajtje pa leje. Ky dënim, sipas ligjit të dekriminalizimit nuk e ndalon kandidimin e zotit Malaj.
Edhe kandidatët e tjerë që kanë deklaruar dënime të ndryshme, kryesisht me gjobë, si Adriatik Zotkaj për Bashkinë e Poliçanit; Tërmet Peçi për atë të Tepelenës, si dhe Pali Kolevski në Pustec, iu pranua kandidimi.
Dënimet e tyre, sipas nenit 2 të ligjit për “Garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” nuk hyjnë në ato vepra penale që ndalojnë kandidimin.
KQZ-ja do të kalojë në filtra edhe të gjithë kandidatët për anëtarë të këshillave bashkiakë.
Për secilin kandidat për kryetar bashkie dhe këshillat bashkiakë, KQZ kërkon informacion nga Drejtoria e Burgjeve, ajo e Gjendjes Civile dhe Zyra e Gjendjes Gjyqësore.
Për raste të veçanta, kur kërkohet hetim i thelluar, KQZ-ja bashkëpunon edhe me Njësinë e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme.