Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla tha se protesta e së shtunës tregon degradimin e opozitës dhe mungesën e liderit. Në studion e News24 në rubrikën “Opinion”, Balla komentoi zhvillimet e fundit politike. Ai shprehu dhe njëherë bindjen se Shqipëria do të nsië këtë vit bisedimet për anëtarësimin në BE.
“Është rrethuar nga një grup militantësh të cilët u munduan t’i bëjnë keq Shqipërisë sepse pamjet e filmimet e asaj dite bëjnë xhiron e mediave të botës. Nëse Basha realisht mendon se mund të pengojë zhvillimin nromal të Shqipërisë ecurinë e proceseve, sot është konfirmuar nga Hahn vlerësimi pozitiv në fund të muajit…Ajo që unë po them dhe që dua ta konfirmoj jo vetëm si kreu i grupit parlamentar të PS por edhe si çdo qytetar tjetër i këtij vendi, do apo s’do Lulzim Basha, bën apo s’bën përpjekje pozitive ky vit është viti i fillimit të bisedimeve. Për këtë jam shumë i sigurt. Ditën që ky proces do të fillojë do të jem sërish me ju në studio. Të shtunën kanë ndodhur disa incidente që i bëjnë dëm sShqipiërisë”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se nuk kishte ndodhur në 28 vite të kërcënohet ambasadori i një prej organizatave të krijuar mbi parimet e bashkëpunimit. “Ajo që ndodh nga ndonjë përfaqësues i opozitës është se nuk ka një deklaratë politike nga ndonjë institucion i këtyre partive. Në çdo rast normal, PD duhet të kishte mbledhur Këshillin Kombëtar, kryesinë nëse ka dhe të dënonte sulmin ndaj ambasadorit të OSBE. Jo vetëm që nuk ndodh kjo por nxjerrin përfaqësues të lartë që vijojnë të sulmojnë një ambasador. Këta ende nuk e kanë kuptuar se deklarata e zotit Borschardt ishte në të njëjtën linjë me deklaratën e liderëve të OSBE”, u shpreh socialisti Balla.
Sipas tij, kjo protestë ishte shprehje dëshpëruese e degradimit të kësaj opozite.
“Njerëzit e dhunës aty nuk janë hallexhinjtë shqiptarë, njerëz të thjeshtë. Ata janë njerëz dhe unë e përshëndes vendimin e djeshëm të gjykatës. Nxis institucionet e drejtësisë, e policisë të vijojnë hetimet. Pjesë e tyre janë të paguar për të bërë dhunë. Kjo skemë e turpshme financimi dhune ndaj institucioneve duhet hetuar dhe pagatorët e dhunës duhen ndëshkuar. Le të jetë pjesë e një procesi në vijim”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së theksoi se komandën e opozitës e ka ish-kryeministri Sali Berisha dhe jo kreu i PD Lulzim Basha. Balla deklaroi se goditja me molotov në çdo vend europian është akt terrorist.
“Basha, Kryemadhi nën urdhrat e Berishës vazhdojnë të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë. Unë nuk besoj, që mendon ndokush se ne, PS jemi përgjegjës për këtë degradim të PD-së. Zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të ndershme. Basha i humb zgjedhjet sa herë përballet me ne. Basha i humb zgjedhjet edhe sikur të mos jemi ne fare sepse shqiptarët nuk e duan. Jemi sot në një situatë, pas një proteste ku për herë të parë pas shumë vitesh janë rrahur gazetarë me urdhra.
Në 2011 gazetari u plagos me plumb nga policia e Sali Berishës së asaj kohe dhe nuk u godit nga protestuesit. Në 2019 nëse gazetari vjen nga një media që nuk i pëlqen Bashës ai urdhëron që ai gazetar të përjashtohet. Të gjitha këto janë shprehje e degradimit, e humbjes së lidershipit. Ajo që është më e qartë është se sot jemi në një faze ku Policia e Shtetit ka bërë krenar çdo qytetar. U tentua t’i vihet flaka institucione të Këshillit të Ministrave, Kuvendit të Shqipërisë, institucioneve të tjera. Goditja me molotov në çdo vend europian, përbën akt terorrist. Jemi sot në kushtet kur ish-kryeministri i këtij vendi është inspiruesi kryesor. Basha një lolo, komanda është Sali Berisha”, theksoi Balla.