Sulmet terroriste në Christchurch të Zelandës së Re, ku autori i masakrës së marsit që shkaktoi 51 të vdekur mundi të transmetonte “live” në rrjetin social Facebook këtë krim, ka detyruar gjigantin e teknologjisë të kufizojë shërbimin “streaming”.
Vendimi është marrë përpara një samiti kundër ekstremizmit “online” në Paris, të thirrur pikërisht pas sulmeve në dy xhamitë e Christchurchit. Rrjeti më i madh social në botë ka shpallur politikën e ashtuquajtur “një shkelje, një ndalim” për ata që shkelin rregullat e reja të transmetimit “live” në Facebook.
Kryeministrja neozelandeze, Jacinda Ardern e ka quajtur këtë masë një “hap të parë të mirë”. Do të jetë pikërisht zonja Ardern, ajo që do të kryesojë samitin së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron. Ky samit synon të koordinojë përpjekjet ndërkombëtare për të ndalur përdorimin e medieve sociale për të organizuar apo promovuar terrorizmin./ i.h