Arben Malaj është aktualisht anëtar i këshillit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
“Ditën që do të marr vendimin se do të kthehem në politikë do të jap dorëheqjen”, shton ai, edhe pse pohon se ky moment për të ende nuk ka ardhur.
Ai në këshill ka pranë ndër të tjerët Ridvan Boden. Dy ish- ministra të Financave, të caktuar nga Rama.
Malaj e mohon me forcë këtë. “ Jo, unë nuk jam i caktuar nga Rama. Ne duhet të mësohemi me ndarjen e pushteteve, shumë politikanë të PS-së nuk e kuptojnë ende.
Unë nuk aplikova te qeveria, edhe pse e di që mazhorancën e ka qeveria. Duhej vullneti politik? Pse mos të kishte vullnet politik, për mungesë aftësie profesionale, apo kontributi ndaj vendit?”, thotë Malaj në një intervistë për A2 CNN.
Për rikthimin e tij në politikë, ai ka deklaruar që nuk do të jetë detyrimisht brenda PS-së.
“Po, sepse dihet që marrëdhëniet e mia me drejtimin e PS-së nuk janë më të mira. Unë pata kurajën të them që në 2011 që partia do të ndodhej përballë sfidave të vështira, që tani po i paguan”, thotë ai.
Më konkretisht?
“Heqja e pushtetit absolut dhe për kohë të gjatë. Rrinim deri vonë natën për të numëruar votat. Tani gjithçka bëhet me telefon”, thotë Malaj.
Por kush është modeli politik i Malajt?
Modelin e ka të prekshëm, edhe pse paksa jashtë kufijve shtetërorë. “E majta duhet të ketë një model si ai i Syrizës”, pohon Malaj.
Por nuk ka aty një populizëm që ai vetë refuzon?
“Deri diku, por mos harroni se pasi mori pushtetin ai e çoji vendin në zgjedhje të parakohshme, sepse tha “me zemër jam me popullin, por si kryeministër duhet të nxjerr vendin nga kriza”, deklaron.
Vetëvendosja sapo ka hapur zyrat e saj në Tiranë, por ai mohon të ketë lidhje me modelin e tij.
“Jam larg rrymave populiste”, e mbyll.
Ai ka opsionet e hapura për të ardhmen, por diçka e ka të qartë.
Nëse kandidohet në zgjedhjet e ardhshme, kjo do të ndodhë në Tiranë dhe jo më në Vlorë, “sepse njerëzit janë me mëndje hapur, ka numrat më të mëdhenj dhe mundësitë po ashtu”.
g.kosovari